Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të mërkurën, zyrtarët policorë të Departamentit të Kufirit kanë iniciuar dy raste të veçanta të veprës penale “kontrabandë me migrantë”, në rajonet e Rugovës dhe Hanit të Elezit.
Sipas njoftimit të Policisë, në rastin e parë gjatë kontrollit në zonën e Rugovës, policia ka ndaluar një automjet të drejtuar nga një shtetas kosovar me inicialet B.K., në të cilin janë gjetur 12 persona me shtetësi sudaneze, njofton Dukagjini.
Pas verifikimeve, migrantët kanë rezultuar të posedojnë dokumente azil-kërkimi nga Greqia, ndërsa dyshohet se po transportoheshin drejt kufirit me Malin e Zi.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa migrantët janë transferuar në Qendrën e Mbajtjes për Emigrantë në Magure.
“Në rastin e parë, zyrtarë policorë nga Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit-Radavc, më 13.05.2026 në orën 13:45, në zonën e Rugovës, kanë ndaluar automjetin me drejtues një mashkull kosovar, ku në automjetin që drejtohej nga i dyshuari janë hasur 12 persona, që pas verifikimeve, kanë rezultuar të jenë shtetas të Sudanit, të cilët posedonin dokumentacion azil-kërkimi nga Greqia. I dyshuari ishte duke i transportuar personat drejt kufirit me Malin e Zi. Me vendim të prokurorit i dyshuari B. K., mashkull kosovar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa emigrantët janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për Emigrantë në Magure”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkaq, rasti i dytë ka ndodhur rreth orës 20:35, në fshatin Seqishtë të Hanit të Elezit, ku njësia patrulluese e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit, gjatë realizimit të planit operativ “Migrimi ilegal”, ka vërejtur me dron dy persona duke kaluar ilegalisht kufirin nga fshati Bllacë i Maqedonisë së Veriut në territorin e Kosovës.
Sipas policisë, pranë pikëkalimit kufitar ishte duke pritur një automjet që synonte transportimin e tyre brenda territorit të Kosovës teksa njësitë policore kanë ndaluar automjetin dhe kanë arrestuar tre shtetas kosovarë me inicialet Q.C., P.L. dhe A.B., si dhe një shtetas të Bangladeshit.