Arrestohet 16-vjeçari, planifikonte vrasjen e shokëve të klasës në Pejë
Një listë me emra të shokëve e shoqeve të klasës i është gjetur një 16-vjeçari në Pejë. Arsyeja se pse i kishte listuar ata është tronditëse. Ky 16 vjeçar dyshohet se kishte për qëllim ti vriste ata që i kishte në klasë. Por, një tragjedi të tillë që dyshohej se po përgatitej në këtë qytet […]
Një listë me emra të shokëve e shoqeve të klasës i është gjetur një 16-vjeçari në Pejë.
Arsyeja se pse i kishte listuar ata është tronditëse.
Ky 16 vjeçar dyshohet se kishte për qëllim ti vriste ata që i kishte në klasë.
Por, një tragjedi të tillë që dyshohej se po përgatitej në këtë qytet e kanë parandaluar organet e sigurisë.
Veprimi i tyre ka qenë i menjëhershëm, duke kryer bastisje në disa lokacione në qytetin e Pejës.
Ngjarja tani po cilësohet si plan për kryerjen e aktit terrorist, andaj me të po merret Prokuroria Speciale e Kosovës.
Ndërkohë, Televizioni Dukagjini ka kontaktuar me drejtorin e shkollës, emrin e të cilit, e as të institucionit nuk do ta publikoj, për çështje etike dhe të konfidencialitetit.
“Ka qenë një nxënës i thjeshtë, më i tërhequr. Po në bazë të asaj që shihet, ka një plan për vrasjen ndaj shokëve të vet dhe shoqeve. Po bëhet fjalë për një nxënës. Nesër do të na i sjellin të dhënat, t’i shohim deri ku janë zhvilluar hetimet”, ka thënë Drejtori.
Drejtori i shkollës thekson se arrestimi ka ndodhur gjatë së shtunës.
“Policia kanë ardhur në shkollë dhe i kanë marrë të dhënat e tij. Sipas një skeme që e ka të përgatitur ai. Do të thotë Policia ka gjurmë të skemës së tij që i kanë marrë nëpër rrjetet sociale. Dje e kanë arrestu, ne nesër do të takohemi si shkollë, me e pa gjendjen e tij, aspektin me klasë, me kujdestarin e klasës me e pa a ka mungesa, a ka pasur vijueshmëri të rregullt në shkollë”, shtoi ai.
Derisa rasti ende është nën hetim, Prokuroria Speciale ka dhënë detajet fillestare. Sipas njoftimit të tyre, dyshohet se i mituri këtë plan po e hartonte tash e disa muaj.
“Në periudhë kohore disamujore ka bërë plane dhe është përgatitur për ndërmarrjen e një sulmi të gjerë ndaj disa nxënësve të një shkolle në Pejë. Me këto veprime i pandehuri kishte për të kryer veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, thonë nga Prokuroria Speciale.
Ndërkohë, kërkesën e PSRK-së për caktim të paraburgimit e ka aprovuar Gjykata Themelore e Prishtinës.
Ndërsa për rastin ka reaguar edhe zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, i cili ka theksuar rëndësinë e reagimit me kohë të autoriteteve kompetente.















