Mjeku, Betim Morina, është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimet se ka kanosur një zyrtare të Qendrës Kombëtare për Transfuzion të Gjakut në Prishtinë (QKKTGj).

Edhe kësaj here, pas shqiptimit të masës së arrestit për 48 orë, Morina ka kërkuar të dërgohet në spital për trajtim, nën arsyetimin se nuk po ndihet mirë.

Mjeku Betim Morina dyshohet se e kishte kërcënuar punonjësen e QKKTGj-së, duke i thënë asaj se do ta ndjekë deri në varr nëse ia ndryshon kontratën e punës.

Doktori Betim Morina

Më datë 18.10.2023, u publikua një video ku shihej mjeku i QKKTGJ, Betim Morina, duke dëmtuar derën e një zyre të këtij institucioni. Prokuroria Themelore në Prishtinë pastaj kishte nisur hetimet penale ndaj dr. Morinës, për përfshirjen e tij në këtë akt vandal.

Vlen të ceket se i njëjti ishte arrestuar më 17.10.2023 për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”. Për këto arsye, komisioni disiplinor e kishte larguar nga puna, por komisioni i ankesave në krye me Dr.Sanije Uka Tërnava e kishte kthyer në punë.

Pas incidentit, punonjësja e QKKTGj-së u këshillua nga kolegët të mos dilte në punë, pasi dr. Morina kishte tentuar të hynte me forcë në zyrën e saj. Sjellja e tij shkaktoi shqetësim te stafi i pranishëm.