Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një person në Prizren, nën dyshimin se ka tentuar të grabitë në një objekt mikrofinanciar.

Rasti raportohet të ketë ndodhur të mërkurën. I dyshuari, përpjekja e të cilit për të kryer veprën penale “Grabitja në tentativë”, ka ngelur e papërfunduar, i cili pastaj ka ikur në drejtim të panjohur.

“I dyshuari i rastit i veshur me rroba sportive të zeza, me maskë në fytyrë dhe me pistoletë në dorë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror hyn në objektin mikrofinanciar ‘FINCA’, ku konfrontohet me punëtorin e sigurimit të atyshëm, të cilit i shkakton lëndim ne kokë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës të dyshuarin ka arritur ta arrestojë të enjten në mbrëmje, kështu duke i sekuestruar edhe një pistoletë.

Tutje thuhet se janë ndërmarrë veprime te duhura hetimore, ku në vendngjarje është gjetur një çelës i veturës së të dyshuarit e më pas edhe vetura, të cilën i njëjti e ka pasur në përdorim, “WV Passat, ngjyrë e zezë, e cila me urdhër të Prokurorit është sekuestruar”.

“Është identifikuar i dyshuari D.G, në shtëpinë e te cilit me urdhër te Prokurorit, është kryer kontroll ( bastisje). Me datë 04.05.2023 rreth orës 21:50, i dyshuari është lokalizuar dhe është arrestuar. I njëjti intervistohet në prezencë të avokatit mbrojtës. Të dyshuarit i është gjetur në posedim një armë zjarri – pistolete e cila sekuestrohet”.

May be an image of text

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë.