Arrestohet kirurgu i akuzuar për ryshfet, dyshohet se sulmoi fizikisht kolegun
Luan Mustafa, kirurg në spitalin e Gjilanit, dyshohet se e ka sulmuar fizikisht, kolegun e tij, Arbër Morinën. Kirurgu Arbër Morina për RTV Dukagjini ka treguar se menjëherë pasi ka dalë nga një operacion që po e kryente, Luan Mustafa e ka ndjekur fizikisht deri në zyrën e tij. “Unë kam tentu me nxjerrë disa […]
Luan Mustafa, kirurg në spitalin e Gjilanit, dyshohet se e ka sulmuar fizikisht, kolegun e tij, Arbër Morinën.
Kirurgu Arbër Morina për RTV Dukagjini ka treguar se menjëherë pasi ka dalë nga një operacion që po e kryente, Luan Mustafa e ka ndjekur fizikisht deri në zyrën e tij.
“Unë kam tentu me nxjerrë disa herë nga zyra, nuk kam arrit dhe më ka sulmu fizikisht derisa kanë ardhë kolegët e spitalit”, ka deklaruar Arbër Morina, kirurg.
Morina i cili pas sulmit ka pranuar trajtim mjekësor në Emergjencë, dyshon se Luan Mustafa e ka sulmuar fizikisht për shkak të raportimeve ndaj tij për thyerje të rregullores së punës.
“Thyerja e rregullave të punës, mospërmbajtja e rregullave profesionale mjekësore, orarit të punës. Unë i kam raportuar, të gjitha ato ju kanë grumbullu atij (Luan Mustafës) dhe në momentin që drejtoria i ka thënë që ka me u përballë me Komision Disiplinor, ai ka ardhë në zyrën time dhe më ka sulmuar”, ka deklaruar Morina.
Morina tregon se nga Luan Mustafa ka marrë disa herë kërcënime edhe në të kaluarën.
Kirurgu Mustafa është arrestuar menjëherë pas raportimit të rastit.
“Policia ka dalur me urgjencë në vendin e ngjarjes është lokalizuar i dyshuari i cili është intervistuar në bazë të procedurave ligjore në prani të avokatit mbrojtës”, ka deklaruar Ismet Hashani, Zëdhënës i Policisë.
Prokuroria Themelore në Gjilan, Mustafën e ka ndaluar për 48-orë, ndërsa për RTV Dukagjini kanë treguar se me sulmin ndaj Morinës, ai dyshohet se e ka kryer veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’.
Ky nuk është vendimi i vetëm ndaj tij, pasi që ai është suspenduar përkohësisht edhe nga puna.
“Komisioni disiplinor, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ka marrë vendim për masë të përkohshme, suspendim nga puna për 3 muaj me 50% pagesë deri në vendimin e plotfuqishëm i cili do të merret pas shqyrtimit detal të rastit”, ka deklaruar Arsim Emini, Drejtor i përgjithshëm i Spitalit të Gjilanit.
Kjo nuk është hera e parë që emri i Luan Mustafës përmendet nga organet e drejtësisë.
Gjatë vitit të kaluar Mustafa ishte arrestuar bashkë me anesteziologun, Halil Basha, mbi dyshimin se kanë kryer veprën penale “Marrje ryshferti”, për çka ishin mbajtur një muaj në paraburgim.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, për RTV Dukagjini e ka konfirmuar se më 5 qershor 2023, ndaj të pandehurve, Luan Mustafa dhe Halil Basha ka ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale ‘’Marrja e ryshfetit’’.















