Policia e Kosovës ka arrestuar në Prishtinë një shtetas gjerman, i cili ishte i kërkuar përmes INTERPOL-it me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Republika Federale e Gjermanisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është kryer më 13 korrik 2026 nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, përkatësisht Sektori FAST, pas pranimit të informatave në rrugë operative.
“Pas pranimit të informatave në rrugë operative, sot më 13 korrik në Prishtinë është identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar F.R., shtetas gjerman, i kërkuar përmes INTERPOL-it me urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga Republika Federale e Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
I arrestuari dyshohet se kërkohej për veprën penale “Trafikim i paligjshëm i substancave narkotike”, e dënueshme sipas Kodit Penal Gjerman.
Me aktvendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – ILECU, në koordinim me autoritetet e drejtësisë.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar policor dhe në zbatimin e urdhër-arresteve ndërkombëtare, me qëllim të luftimit të krimit dhe forcimit të sundimit të ligjit.