Policia e Kosovës ka arrestuar një 28-vjeçar në Prizren, i dyshuar për veprën penale të fajdes.

Policia mëngjesin e së enjtes ka nisur operacionin për arrestimin e të dyshuarit, pas hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren dhe një ekip nga Drejtoria e Krimit të Organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë -Prishtinë.

Sipas hetimeve, i dyshuari E.K. ka kontraktuar një shumë jo proporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.

Viktima dyshohet se është ngarkuar me kamata mujore, të cilat e kanë tejkaluar shumën prej 100 mijë eurosh.

“I dyshuari  E. K. , mashkull, 28 vjeçar  me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të dhënies së borxhit, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës, e ngarkon me kamata mujore viktimën, kamata të cilat e kalojnë shumën mbi 100000 (një qind mijë) euro”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Gjatë operacionit, policia ka kontrolluar banesën e të dyshuarit dhe ka sekuestruar prova që ndërlidhen me rastin.

Pas arrestimit, ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti është duke u hetuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren.