Policia e Kosovës ka njoftuar se një person i dyshuar është arrestuar për dy vepra penale të ndryshme, lidhur me tregtinë e barnave dhe produkteve të dëmshme mjekësore.

Operacioni policor është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë dhe Iinspektorët farmaceutikë nga Ministria e Shëndetësisë.

Gjatë operacionit, janë kontrolluar tri barnatore në rajonin e Pejës për dyshime se aty kishin vendosur të shisnin produkte farmaceutike pa banderola dhe të kontrabanduara.

Në dy prej bizneseve nuk janë zbuluar parregullsi, ndërsa në një tjetër biznes janë gjetur 561 paketime pa banderola të barnave, të cilat dyshohet se janë importuar ilegalisht nga Turqia dhe janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

I dyshuari, i identifikuar si M.B., një mashkull kosovar i lindur në vitin 1992, është arrestuar dhe shoqëruar në zyrat e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë.

Ai është intervistuar në prezencën e avokatit.

“I dyshuari M.B., (viti i lindjes 1992, mashkull kosovar) është shoqëruar në zyrat e NJRHKEK-Pejë, është intervistuar në prezencën e avokatit. Ndaj të dyshuarit janë iniciuar rastet ’Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’ dhe ‘Tregtia e ndaluar’”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Pejës ka njoftuar rastin dhe ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orësh për të dyshuarin.