Arrestohet një i dyshuar për tentim vrasje në Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale të tentim vrasjes në rajonin e Prishtinës. Në një komunikatë zyrtare, Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë ka theksuar: “Jemi duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor […]
Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale të tentim vrasjes në rajonin e Prishtinës. Në një komunikatë zyrtare, Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë ka theksuar:
“Jemi duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale si dhe vënien e tyre para drejtësisë.”
Si rezultat i këtyre angazhimeve, mbrëmë njësiti i hetimeve të përgjithshme ka siguruar prezencën e personit të dyshuar Z.K, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilit i është sekuestruar një armë zjarri.
I dyshuari ishte në kërkim lidhur me një rast tentim vrasjeje që ka ndodhur më 27 qershor 2025 në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë. Përveç kësaj, ndaj tij është inicuar edhe një rast për armëmbajtje pa leje.
Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të prokurorit të shtetit, Z.K është dërguar në qendrën e mbajtjes, ku do të vazhdojnë hetimet.















