Arrestohet një i kërkuar për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan
Një person i dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 në Zveçan është arrestuar këtë të mërkurë, kështu ka njoftuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. Siç ka bërë të ditur Elshani, personi i arrestuar, identifikuar si L.D., u ndalua rreth orës 19:15 në pikën […]
Një person i dyshuar për përfshirje në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në maj të vitit 2023 në Zveçan është arrestuar këtë të mërkurë, kështu ka njoftuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Siç ka bërë të ditur Elshani, personi i arrestuar, identifikuar si L.D., u ndalua rreth orës 19:15 në pikën e kontrollit në Bistricë, ku ai ishte në kërkim në lidhje me rastin e 29 majit 2023, kur 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan në një incident të dhunshëm.
Zëvendësdrejtori Elshani ka theksuar se i dyshuari L.D. aktualisht po intervistohet në stacionin policor të jugut, dhe se pas përfundimit të intervistimit do të merren vendimet për hapat e mëtejmë të procedurave ligjore.
“Sonte rreth orës 19:15 në pikën e kontrollit në Bistricë është ndalu një person L.D. që ishte në kërkim në lidhje me rastin e 29 majit 2023 ku ishin lënduar 93 zyrtarë të KFOR-it. I njëjti është duke u intervistu në stacionin policor të jugut dhe pas intervistimit do të vendoset për hapat e mëtejmë”, ka thënë Elshani për Dukagjinin.
Përleshjeve në mes të ushtarëve të KFOR-it dhe serbëve në Zveçan u parapriu rritja e tensioneve më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u mblodhën para objekteve komunale në veri të Kosovës, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në to.
Kryetarët shqiptarë morën pushtetin, pasi popullata shumicë serbe në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – i bojkotoi zgjedhjet lokale, me ftesë të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Më shumë se 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë u plagosën më 29 maj, kur protestat e popullatës lokale serbe kundër kryetarëve shqiptarë të komunave u shndërruan në përleshje të dhunshme.















