Prokuroria Speciale ka njoftuar se me urdhër të saj, Policia e Kosovës e ka arrestuar një person të dyshuar për “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar” dhe mbajtje në pronësi të armëve.

Sipas Prokurorisë, gjatë këtij aksionin janë sekuestruar, një (1) pushkë automatike, dymbëdhjetë (12) fishekë AK-47,  dyqind e pesë (205) fishekë të armës së gjatë, një (1) karikator i armës AK-47, një (1) kondakt – druri dhe një (1) telefon si dhe dëshmi të tjera relevante lidhur me rastin”.

“Prishtinë, 17 maj 2023 – Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Kundër Terrorizmit, ka arrestuar sot një (1) person të dyshuar me inicialet M.L”.

“Prokuroria Speciale njofton se si rezultat i këtij operacioni, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e pa autorizuar e armëve apo materialëve plasëse’’ nga neni 364, dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontrolle, ose posedim të pa autorizuar të armëve’’ nga neni 366 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, ‘’Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’ nga neni 277 i KPRK-së,  është arrestuar një (1) person i dyshuar me inicialet M.L, ndaj të cilit janë duke vijuar procedurat ligjore”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Sipas komunikatës së Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar në ndalim policor, në kohëzgjatje prej 48 orësh.