Arrestohet një polic e dy të tjerë suspendohen, dyshohen për disa vepra penale
Një aksion që ka përfshirë edhe zyrtarë policorë si të dyshuar është zhvilluar të mërkurën në Gjakovë. Inspektorati Policor në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjakovës vepruan bashkë, për një rast që po hetohej tash e disa muaj. “Me urdhër të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, janë ndërmarr disa veprime shtesë hetimore lidhur me […]
Një aksion që ka përfshirë edhe zyrtarë policorë si të dyshuar është zhvilluar të mërkurën në Gjakovë.
Inspektorati Policor në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjakovës vepruan bashkë, për një rast që po hetohej tash e disa muaj.
“Me urdhër të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, janë ndërmarr disa veprime shtesë hetimore lidhur me rastin e ndodhur me dt.20.01.2025, rast i cili është duke u hetuar në Prokurorinë Themelore Gjakovë. Gjithashtu ju njoftojmë se me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre (3) persona, njëri prej tyre zyrtar policor, në kohëzgjatje prej 48 orësh”, kanë thënë nga prokuroria.
Përveç zyrtarit policor që u ndalu për 48 orë, edhe dy kolegë të tij janë suspenduar.
“Hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin për vepren penale “ndihma gjatë kryerjes së veprës penale”. Të njëjtit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë dy zyrtarë policorë hetohen në procedurë të rregullt me dyshimin për veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare”. Si pjesë e procedurave administrative IPK ka rekomanduar suspendimin e këtyre zyrtarëve (tre zyrtarëve policorë) të përfshirë si të dyshuar në këtë rast”, thuhet në njoftim e IPK-së.
Jo-zyrtarisht, televizioni ka kuptuar se zyrtarët policor dyshohen për bashkëpunim dhe komunikim me një të dyshuar në arrati, që kërkohej për veprën penale të vrasjes në tentativë.
Gjatë realizimit të kontrolleve, hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar edhe disa prova materiale që mund të kenë rëndësi për procedurën hetimore.















