Një zyrtar policor në Prizren është arrestuar nën dyshimin se ka keqtrajtuar një qytetar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), polici dyshohet se ka përdorur forcë ndaj qytetarit dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Ngjarja ka ndodhur të dielën, kur qytetari ishte ndaluar fillimisht për një kundërvajtje në trafik.

Pas incidentit, rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit kanë nisur menjëherë veprimet hetimore, përfshirë shikimin e kamerave të sigurisë, identifikimin e dëshmitarëve dhe intervistimin e policit të dyshuar.

Pas konsultimeve me Prokurorinë Themelore në Prizren, IPK ka arrestuar policin, ndërsa ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe është pezulluar nga detyra.

“Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore përfshirë shikimin e video-incizimeve të kamerave të sigurisë, identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm dhe intervistimin e zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Prizren, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor që ishte përfshirë në këtë incident. Arrestimi i të dyshuarit është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’ dhe ‘lëndim i rëndë trupor’ kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, thuhet në njoftim.

Hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë.