Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka arrestuar një person, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.
Sipas Prokurorisë, hetimet janë zhvilluar në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.
I dyshuari me inicialet N.M. dyshohet se ka tejkaluar kompetencat zyrtare duke lëshuar leje për disa operatorë ekonomikë për importin e produkteve biocide dhe pesticideve, të cilat, sipas Prokurorisë, janë të ndaluara për përdorim në Kosovë bazuar në listën e Agjencisë Evropiane të Kimikateve (ECHA) të Bashkimit Evropian.
N.M. po hetohet për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 427.
Arrestimi është kryer nga Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojë veprimet hetimore lidhur me rastin.