Një zyrtar policor është arrestuar të premten pasi ka sulmuar fizikisht një koleg të tijin.

Siç ka bërë të ditur Inspektorati Policor i Kosovës, ngjarja ka ndodhur brenda hapësirave të punës në Stacionin Policor “Jug” në Prishtinë.

Për rrjedhojë, zyrtari policor i dyshuar për sulm, ka përfunduar në mbajtje.

“Zyrtari policor është ndaluar për 48 orë. Është rekomanduar suspendimi i tij. Pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore, është arrestuar një zyrtar policor  i cili shërben në Stacionin Policor Jugu – Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë. Arrestimi i tij është bërë më dyshimin se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale “Sulm” kurse të njëjtit me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, ka bërë të ditur IPK.

Ndër të tjera, në njoftim thuhet se zyrtarët e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e tij.

“Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së dhe në interes të hetimit IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e këtij zyrtari policor. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjerahetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, ka njoftuar IPK-ja.”, thuhet në njoftim.