Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kanosje dhe lëndim të lehtë trupor ndaj gjinekologut Afrim Veliu, pas dy incidenteve të ndodhura në lagjen Ulpiana të Prishtinës.

Sipas njoftimit të Policisë, më 20 maj gjinekologu Veliu u sulmua fizikisht nga një person i panjohur përballë ordinancës së tij, duke pësuar lëndime të lehta trupore. Katër ditë më vonë, më 24 maj, në hyrje të po të njëjtës ordinancë u gjet një granatë dore F-1 pa mekanizëm ndezës, e cila u largua me sukses nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplodues.

Pas hetimeve, njësitë e hetimeve të përgjithshme të rajonit të Prishtinës arritën të identifikojnë dhe arrestojnë një nga të dyshuarit në zonën e Fushë Kosovës.

“Njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës, dje ka realizuar me sukses arrestimin e një personi të dyshuar lidhur me dy raste të ndara që rrezikuan sigurinë publike në lagjen Ulpiana, Prishtinë.

Më 20.05.2025, një qytetar u sulmua fizikisht nga një person i panjohur përballë ordinancës së tij, duke pësuar lëndime të lehta trupore. Katër ditë më vonë, më 24.05.2025, në hyrje të së njëjtës ordinancë, u gjet një granatë dore F-1 pa mekanizëm ndezës, e cila u largua në mënyrë të sigurt nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplodues (NJTME).

Pas hetimeve të thelluara, dje në Fushë Kosovë është identifikuar dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit. Gjatë bastisjes në adresën ku qëndronte me qira, janë sekuestruar prova relevante.

Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Kanosja” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Hetimet janë duke vazhduar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë, me qëllim të identifikimit të personave tjerë të përfshirë dhe zbardhjes së plotë të rastit.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën, dhe riafirmon përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë publike, parandalimin e rreziqeve dhe zbulimin e çdo vepre penale që cenon rendin dhe qetësinë publike”, thuhet në njoftim.