Inspekorati Policor i Kosovës (IPK) e ka arrestuar një polic “në flagrancë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti”.

Sipas IPK-së, hetuesit i kishin filluar kohë më parë hetimet për këtë rast.

“Hetuesit e IPK-së kishin filluar kohë më parë hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin e Krimeve të Rënda. Pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta hetimore, sot rreth orës 17:00 nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Obiliq zyrtari policor (hetues në Stacionin Policor në Obiliq) kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Dyshohet se zyrtari policor ka pranuar 1000 euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal.

“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftim.