Arrihet dakordimi me Izraelin për heqjen e vizave
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar të hënën me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv. Gjatë këtij takimi është njoftuar miratimi i marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës nga ky shtet. Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Zyra e Presidentes. “Ambasadorja Ziv e njoftoi presidenten Osmani se […]
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar të hënën me ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv. Gjatë këtij takimi është njoftuar miratimi i marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës nga ky shtet.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Zyra e Presidentes.
“Ambasadorja Ziv e njoftoi presidenten Osmani se pas kërkesës së presidentes drejtuar institucioneve të Izraelit, qeveria e Izraelit ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Presidentes.
Përmes kësaj marrëveshjeje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike, thuhet më tej në njoftim.
“Presidentja Osmani e falënderoi ambasadoren Ziv për këtë vendim, si zhvillim pozitiv i cili do t’i hapë rrugë bashkëpunimit më të thelluar në mes të dy vendeve”, thuhet në komunikatë.
Tutje, me rastin e përvjetorit të Ditës së Kujtimit të viktimave të Holokaustit, Osmani përsëriti se Kosova kujton miliona njerëz të pafajshëm të humbur në një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit, dhe se kjo ditë shërben si rikujtim për pasojat shkatërruese që rrjedhin nga urrejtja dhe paragjykimi.
Ambasadorja Ziv e informoi për situatën e sigurisë në Izrael, ndërsa presidentja Osmani e ka informuar ambasadoren për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon.















