Artefaktet prej 750 mijë dollarësh do të riatdhesohen nga New Yorku në Jemen

Tri artefaktet siç janë një figurinë kafshe, një figurinë femre dhe një enë argjendi me dekorime të përpunuara me gdhendje janë riatdhesuar në Jemen

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin L. Bragg, Jr. ka njoftuar se ka riatdhesuar tri antikitete me vlerë kolektive 725 mijë dollarë në Jemen.

Artefaktet janë një figurinë kafshe, një figurinë femre dhe një enë argjendi me dekorime të përpunuara me gdhendje.

Të tre artefaktet u gjetën si pjesë e hetimit penal ndaj koleksionistit privat dhe administratores së Muzeut Metropolitan të Artit, Shelby White.

Si rezultat i hetimeve, White iu sekuestruan 89 eksponate nga 10 vende të ndryshme, me vlerë afro 69 milionë dollarë. Këto përfshijnë nëntë antikitete të riatdhesuara në Turqi muajin e kaluar dhe konfiskimet e antikiteteve romake dhe greke që ndodhën dhjetorin e kaluar.

Sipas zyrës së Prokurorit, tri artefaktet u blenë nga White nga Galeria Mansour në Londër, nga tregtari i artit Robin Symes, i cili më vonë u dënua për trafik antikitetesh më 2005 dhe nga një ankand i “Christie’s” në New York.

Artefakti i parë nga tre të riatdhesuarit, një figurinë kafshe, është një objekt funerali nga nekropoli “Hayd bin Aqeel” në Shabwa, Jemen. U grabit në vitin 1994 gjatë luftës civile në vend dhe daton në shekullin V para erës sonë.

E dyta, një figurë gruaje është gjithashtu një objekt funerali që përshkruan një perëndi femërore. Daton në shekullin II para erës sonë. E treta, një enë argjendi, daton nga viti 200 deri në 300. Ajo përmban një mbishkrim që ua mundësonte ekspertëve të identifikonin origjinën e saj si i njëjti vend i grabitjes sikurse figurina e kafshës.

“Ky riatdhesim nënvizon se si arti dhe kultura mund të shërbejnë si simbole të fuqishme të shpresës”, ka thënë prokurori i Qarkut, Bragg. “Hetimi ynë ndaj koleksionistes Shelby White ka lejuar që dhjetëra antikitete të grabitura nga vendet e tyre të origjinës të kthehen më në fund në shtëpi”.

Për shkak të luftës civile të vazhdueshme në Jemen, tri artefaktet do të ekspozohen përkohësisht në Institutin Smithsonian në Washington.

Të fundit nga rubrika