Artistja e cila art kryesor ka ndihmën e personave me aftësi të kufizuar

Arti i cili është çdo gjë e bukur, bëhet i mahnitshëm kur të frymëzon për të shtuar humanizmin, për të ndihmuar të tjerët në nevojë pa u ndalur, e këtë gjë me historinë e saj e dëshmon, Shkurta Haxhiu

Shkurta Haxhiu, organizatore e Shoqatës "Heroinat"

Nisur me artin, që është gjithçka e bukur, nga iluzionet dhe imagjinatën e paraqitur në letër, me një fjalë duke lënë shpirtin në pikturë, Shkurta Haxhiu me profesion piktore, tash e katër vjet është duke e zëvendësuar artin me ndihmën ndaj personave me aftësi të kufizuar.

Ajo këtë ndihmë e filloi nga dashuria për artin, e që nga kjo sipas saj ka lindur ideja për humanizmin. Por arsyeja kryesore e fillimit të ndihmës ndaj personave me aftësi të kufizuar, ishte gjendja shëndetësore e vëllait te saj, që është tash e 28 vjet në karrocë.

Haxhiu, këtë ndihmë e ka plotësuar me shoqatën “Heroinat”, të cilën e ka cilësuar si simbol i femrave me një forcë të pamposhtur.

Ajo në intervistë për Portali D, ka treguar se ndihma që u ofron, e plotëson atë shpirtërisht. Gjithashtu, ka shtuar se nuk do të ndalet asnjëherë, pasi ende nuk ka takuar njerëz që janë të gatshëm të marrin këtë përgjegjësi vullnetare.

“Arsyeja që jam në ndihmë të personave më aftësi të veçanta është sepse ende nuk kam takuar njerëz që janë të gatshëm të marrin përgjegjësi në përkujdesje dhe në aspekt vullnetar” tha Haxhiu, për Portali D.

Shkurta Haxhiu, duke ofruar donacione, pajisje për personat me aftësi të kufizuar

Po ashtu, ajo me shoqatën e saj “Heroinat”, ka organizuar aktivitete të ndryshme duke iu përkushtuar personave me aftësi të kufizuar, të cilët janë vizituar në vendbanimin e tyre dhe u janë dhuruar donacione si, pajisje të ndryshme.

“Kam organizuar aktivitete të ndryshme si koloni ndërkombëtare dedikuar personave me aftësi të kufizuar duke vizituar në vendbanimin ku ndodhen ata, si dhe duke iu siguruar donacione me pajisje te ndryshme për ta”, tha Haxhiu për Portali D.

Ndërsa, Portali D ka pyetur se si arrihet të krijohen donacionet nga shoqata “Heroinat”, Haxhiu e cilësoi se vijnë si ndihmë vullnetare nga shoqatat e ndryshme dhe njerëzit të “vullnetit të mirë, bamirës”.

Institucionet e Kosovës ‘nuk japin përkrahje për personat me aftësi të kufizar’

Gjithashtu, Haxhiu tregoi se mbështetja është gjithmonë e nevojshme dhe se nga institucionet e shtetit nuk iu është dhënë asnjëherë, edhe pse ka bërë kërkesë disa herë.

“Kam bërë disa herë kërkesë direkt në institucionet e Kosovës, por asnjëherë nuk kam marrë asnjë lloj përkrahje konkrete”, tha Haxhiu për Portali D.

Ndërkaq, Haxhiu është gjithmonë e shoqëruar me personat me aftësi të kufizuar, të cilët i janë bërë pjesë e familjes, por që dikush të jetë në krah të saj, ajo tha se mjafton të jetë me vullnet të mirë dhe i gatshëm për shumë gjëra.

“Përzgjedhja për të qenë pjesë e shoqatës “Heroinat”, mjafton nëse është i vullnetit të mirë dhe i gatshëm për shumë gjëra”, tha ajo për Portali D.

Ndihma ndaj personave me aftësi të kufizuar nga Haxhiu është edhe përkrahje shpirtërore. Për të është një rrugë të cilën e zgjodhi me shumë vullnet, e që sipas saj kjo është arsyeja që ajo ia del të jetë gjithmonë afër tyre duke i dashur dhe respektuar, pasi “vullneti bën gjithçka”.

Shkurta Haxhiu, duke u shoqëruar dhe në takime me personat me aftësi të kufizuar

“Është një rrugë që e kam zgjedhur me dëshirë, me shumë vullnet, dhe kjo është arsyeja qe unë ia dal gjithmonë në çdo gjë, të jem afër, t’i dua ata, t’i respektoj dhe t’i mbaj pranë vetes, sepse vullneti bën gjithçka” tha Haxhiu për Portali D.

Ndërsa, se sa ofrohet ndihmë nga të tjerët, sipas saj, kohën e fundit është rritur përkrahja, edhe nga shoqatat tjera, por dhe nga njerëzit. Dhe se donacionet nga ta kanë qenë me pajisje të ndryshme, gjëra ushqimore, medikamente dhe veshmbathje.

Ndërsa, për ndihmën dhe shoqërimin e plotë ndaj tyre, ajo tha se për çdo gjë që bën merr vetëm komente pozitive, por të tjerët, sipas saj, personat me aftësi të kufizuar i shohin me një sy paragjykues.

“Nuk paragjykohem në punën që bëj, vetëm komente pozitive marr, por që të tjerët i shohin me sy paragjykues personat me aftësi të kufizuar”, tha ajo për Portali D.

Por, Haxhiu ka një mesazh për personat me aftësi të kufizuar, të cilët sipas saj duhet të jenë të fortë nga paragjykimet e të tjerëve, të mos kenë ndikim nga të tjerët.

Ndërkaq, ajo për personat të cilët sipas saj po i shohin me një sy tjetër ata, u ka kërkuar të mos i anashkalojnë dhe të mos tregohen më paragjykues ndaj personave me aftësi të kufizuar.

Shkurta Haxhiu, shoqatën e saj e kishte filluar si pjesëmarrëse me organizmin e projektit “Kolonija artistike ndërkombëtare” në fshatin Bogë të Rugovës, i cili iu kishte mundësuar fëmijëve me aftësi të kufizuar të shprehin talentin e tyre në pikturë.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet me moton “Të gjithë jemi të barabartë”, organizuar nga shoqata “Heroinat” dhe përkrahur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ishin artistë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika