Organizata joqeveritare Artpolis ka treguar se do të sjellë Festivalin FemArt edhe sivjet, që sipas tyre, e pasuron skenën kulturore të Kosovës me aktivizëm artistik të nivelit botëror, krahas prezantimit dhe mbështetjes së skenës vendore dhe rajonale.

Sipas Artpolisit, ndërmjet datës 15 dhe 21 maj të vitit 2023, në Prishtinë dhe Mitrovicë do të realizohet edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Artisteve dhe Aktivisteve – FemArt, i cili vjen nën moton “Kalle Tutën”.

“’Kalle Tutën’ vjen si thirrje për ta flakur tutje tutën, me i dhënë mundësi të resë, guximit dhe dashnisë që të lindë”.

“Guximi është parakusht që të mposhtim frikën. Për shumë gjatë na mësuan të heshtim, është koha të guxojmë të flasim. Do të flasim dhe do të kallim tutën guximshëm e me dashni edhe në edicionin e 11-të të Festivalit FemArt” thuhet në komunikatën tyre për Media.