Një takim i thirrur pak minuta para tentimit të pestë, rezultoi se ishte tentimi i vetëm i partisë së parë sipas rezultateve të 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje, respektivisht deputetit të saj, Avni Dehari, për të tejkaluar ngërçin për konstituimin e kuvendit.

Por rezultati ishte një tjetër dështim, i treti për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e i pesti në përgjithësi për konstituimin e legjislativit.

Kandidates për të cilën insistoi Lëvizja Vetëvendosje në dy herët e para, deputeten Albulena Haxhiu, i qëndruan prapa edhe në tentimin e tretë.

“Lëvizja Vetëvendosje propozon atë që gjithmonë ishte propozimi ynë, zonjën Albulena Haxhiu për Kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të nderuar kolegë, ju lus të gjithëve që ta mbështesni dhe të dalim nga kjo bllokadë”, Glauk Konjufca – LVV.

Votat pro, ishin të njëjtat si herat e kaluara: ato të deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partitë minoritare, përjashtuar Duda Baljen, rezultuan me shifrën prej 57 votash pro.
Kundër ishin 46 vota që përfshijnë ato të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

3 deputetet e Nismës Socialdemokrate abstenuan.

Ndonëse me rregullore lejohet të tentohet prapë votimi i Kryeparlamentares, por në këtë rast, Kryesuesi, Avni Dehari e mbylli seancën.

“Në bazë të rezultateve të votimit nuk kalon kandidatja për kryetare dhe seanca dhe seanca ndërpritet për të premten, me 25 prill në ora 10:00”, ka thënë Avni Dehari – LVV.

Votimi i Kryeparlamentares do t’i hapte rrugë emërimit të nënkryetarëve të Kuvendit në mënyrë që Kuvendi të konsiderohet i konstituar.