As pas përpjekjes së 10-të s’ka pajtim, Vetëvendosje e do Haxhiun, të tjerat jo
Edhe në seancën e 10-të, deputetët dhe kryetarët e të gjitha partive hynë të vetëdijshëm se nuk i kanë ndryshuar qëndrimet dhe se do të ketë prapë dështim. Edhe Lëvizja Vetëvendosje që po insiston në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, hyri në seancë pa një marrëveshje që do t’ia siguronte 61 vota. […]
Edhe në seancën e 10-të, deputetët dhe kryetarët e të gjitha partive hynë të vetëdijshëm se nuk i kanë ndryshuar qëndrimet dhe se do të ketë prapë dështim.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje që po insiston në emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, hyri në seancë pa një marrëveshje që do t’ia siguronte 61 vota.
Edhe pas dështimit, palët nuk treguan se e kanë ndër mend të gjejnë një zgjidhje.
I pari që doli në deklarimet për media ishte kreu i PDK-së, Memli Krasniqi i cili Vetëvendosjen e akuzoi se po tenton ta mbajë pushtetin me çdo kusht, në mënyrë të dhunshme dhe jo-kushtetuese.
“As herën e parë, as herën e 10-të, as herën e 100-të, nuk kalon Albulena Haxhiu, sepse nuk e meriton ky Kuvend ta ketë në krye një figurë të tillë”, ka thënë Memli Krasniqi – Kryetar i PDK-së.
Edhe LDK rikonfirmoi se nuk lëviz nga qëndrimet tashmë të ditura.
“Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiun, e kemi deklaruar që nga fillimi, vota jonë është kundër, kryetari i Parlamentit duhet të zgjidhet me marrëveshje politike, dhe kështu do të vazhdojmë përderisa ata nuk reflektojnë”, ka thënë Hykmete Bajrami – Deputete e LDK-së.
Partia fituese po vazhdon të kërkojë zgjidhje për ta bindur opozitën, por thotë se nuk bëjnë pazare për postin e Kryeparlamentarit.
Zotimi se nuk bëjnë pazare vjen pas ftesës për marrëveshje politike nga nënkryetari i partisë Glauk Konjufca dhe takimeve të thirrura nga kryesuesi Dehari, e së fundmi nga Albin Kurti me Memli Krasniqin.
Me ish-partitë opozitare kësaj radhe nuk u morr deputeti Hekuran Murati, por partnerja e koalicionit, Donika Gërvalla. Mirëpo, as Ministrja në Detyrë e Punëve të Jashtme nuk e kurseu opozitën.
“Prandaj opozita po heziton sepse e dijnë dëmin politik që shkakton një koalicion me Listën Serbe dhe si duket pret ndihmë nga jashtë. Cila është ndihma nga jashtë! Pritet ndonjë ndërkombëtar i cili do t’iu japi arsyetimin që ja ne nuk deshtëm por ja na thanë ndërkombëtarët na tha ky na tha ai”, ka thënë Donik Gërvalla – Kryetare e Partisë Guxo.
Gërvalla vazhdon të insistojë në logjikën se votimi i fshehtë është mjet demokratik dhe jo pazar me postin e Kryeparlamentarit.
Ajo pretendon se gatishmëria e PDK-së për zgjedhje të reja është mesazh që i drejtohet LDK-së, e cila sipas saj, nuk është e gatshme dhe s’ka interesim për të dalë përsëri në kutitë e votimit.
Eh tek partnerët e koalicionit AAK dhe NISMA nuk kishte ndryshime, përpos që në seancë munguan kryetarët. Fatmir Limaj nuk erdhi fare, e Haradinaj e lëshoi seancën.
“E thanë edhe parafolësit, është shkelje ligjore, shkelje Kushtetuese, është shkelje e rregullores së Kuvendit të Kosovës. Mënyra e ndryshimit të votimit, dhe ajo çfarë po ndodh tash, po kërkojnë votë për formimin e një komisioni dhe nuk e kemi emrin e kandidatit”, ka thënë Time Kadrijaj – Deputete e AAK-së.
“Po shpresojna që së shpejti me e pa një konsensus ku i bëhet thirrje partisë së parë që me fillu me pranu realitetin edhe me bo mazhoraancën në mënyrën se si ka ndodhur në të kaluarën…”, ka thënë Xhevahire Izmaku – Deputete e NISMA-s.
Vazhdimi i 11-të i seancës konstituive mbahet në fillim të javës së ardhshme.















