As për 35 vjet qytetarët me rrogë mesatare nuk mund të blejnë një banesë në Prishtinë 

Çmimi i patundshmërive në tregun e Kosovës është i lartë sidomos viteve të fundit. Kryeqyteti është vendi më i shtrenjtë në vend për jetesë. Edhe blerja e një banese në Prishtinë me një rrogë mesatare nuk është e mundshme as për 35 vjet

Prishtinë,Republika e Kosovës

Paga mestare në Kosovë sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) është 380 euro në sektorin privat, ndërsa ajo e sektorit publik është më e lartë, përkatësisht 552 euro.

Në bazë të një përllogaritjeje, një banesë me sipërfaqe prej 80 metrash katrorë, duke nxjerrë çmimin mesatar të metrit katror, del se në bazë të të ardhurave mesatare në Kosovë nevojiten 40 vjet për të qenë pronar i një banese në Prishtinë.

“Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020 ishte 380 Euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 Euro. Pra, kishte një rënie prej 31 Eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto për vitin 2020 ishte 342 Euro, krahasuar me vitin 2019 që ishte 372 Euro. Pra, një rënie prej 30 Eurosh”,  thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

“Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2019 ishte 407 Euro, derisa, në vitin 2020 ishte 624 Euro, duke u rritur për 217 Euro, ose 53.3%. Ndërsa, paga mesatare neto nga 366 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 552 Euro në vitin 2020. Një rritje prej 186 Eurosh, ose 50.8%”, thuhet në faqen zyrtare të ASK.

Rroga mestare është rreth 500 euro, ndërsa çmimi i mesatar për një (1) metër katror në Prishtinë është rreth 1mijë e 500 euro.

Në bazë të një përllogaritjeje nga Portali D, për të blerë një banesë në Prishtinë me dy dhoma gjumi me sipërfaqe prej 80 metrash katror (80 X 1 mijë e 500 = me 120 mijë euro ndërsa) me një rrogë mesatare prej 500 eurosh, duke ndarë gjysmën e saj, përkatësist 250 euro (250 X 12 muaj = 3000 euro) del se mund të blihen dy (2) metra katrorë brenda vitit.

Sipas këtij kalkulimi del se, për blerjen e një banese me sipërfaqe prej 80 metrash katrorë, duhet 40 vjet kohëzgjatje.

 

Çmimet e patundshmërisë në Prishtinë

Portali D ka hulumtuar tregun e patundshmërive në kryeqytet për të kuptuar se si variojnë çmimet e banesave.

Çmimi për metër katror varion kryesisht nga 2 mijë e 500 euro në qendër të qytetit, ndërsa në periferi të Prishtinës, çmimi më i lirë varion deri në 1 mijë e 100 euro për metër katror.

Mesatarja për një metër katëror në Prishtinë, në tregun e patundshmërive sillet rreth 1 mijë e 500 euro.

Milot Mehmeti, përfaqësues i Pro Real Estate, për Portali D ka thënë se nga të dhënat që i kanë si agjencion, çmimet e patundshmërisë janë rritur në dy vjetët e fundit, ku sipas tij, kanë shënuar ngritje vjetore për 7.4 për qind, ndërsa në tri vjetët e fundit, çmimet kanë lëvizur mbi 20 për qind.

Mehmeti ka thënë se, rritja më e madhe e çmimeve të banesave është shënuar në qendër të Prishtinës.

“Kërkesa më të larta për të blerë janë në qendër të qytetit, ku një banesë në shesh të Prishtinës, metri katror ka kushtuar 1 mijë e 400 euro, tani është nga 2 mijë e 200 euro për metër katror”.

Sipas Mehmetit, kërkesa më e madhe mbetet te qendra dhe kjo është një arsye pse janë rritur shumë çmimet.

Për sa i përket dallimeve të çmimeve të banesave në Prishtinë, ato në qendër janë dyfish më shtrenjtë se ato në periferi, ka thënë ai.

“Ka shumë dallim lokacioni, hapësira gjelbëruese këtu ku jemi afër në Pejton në Prime Grup, ku para ndërtimit kanë qenë rreth një mijë euro, tani është një 1 mijë e 500 euro për metër katror”, ka thënë Mehmeti.

Milot Mehmeti

Ai ka folur edhe për krahasimin e çmimeve në mes të ndërtimit të ri dhe ndërtimeve më të vjetra në lagjet me plan urbanistik siç janë, lagjja Dardania, Ulpiana e Bregu i Diellit, në krahasim me ndërtimet e reja në lagjen Pejton.

“Ende çmimet e banesave të vjetra janë më të lartat se të banesave të reja, edhe kjo është për shkak të organizmit të parkingjeve, parqeve, ku çmimi për një banesë fillon nga 2 mijë euro, ndërsa te të rejat në Pejton fillon nga 1 mijë e 400 euro, përveç në Prishtina City Center, ku çmimi është i ngjashëm, ku fillon nga 2 mijë euro”, ka thënë Mehmeti.

Kur vjen në pyetje krahasimi në mes lagjeve të Prishtinës, sipas tij, kjo dallon shumë.

“Çmimet në periferi nuk kanë pasur lëvizje të mëdha, sidomos rruga Muharrem Fejza, e cila është e stërngarkuar nga vetura edhe mungesa e parkingjeve. Aty çmimet fillojnë nga 1 mijë deri 1 mijë e 100 euro, ndërsa rruga B ka kërkesë më të madhe, sepse ka çasje edhe pamje më të mirë”.

Ndërsa ‘Prishtina e re’ sipas tij, mban çmimin më të ulët. Banesat atje fillojnë nga 800 deri 900 euro për metër katror sa janë në proces të ndërtimit, ndërsa ato që janë ndërtuar fillojnë nga 1 mijë deri 1 mijë e 100.

Ndërsa, arsyeja e rritjes së çmimeve në patundshmëri në Prishtinë, sipas ekspertit të patundshmërive Milot Mehmeti, është ngritja e çmimeve të materialeve ndërtimore.

“Çmimet në përgjithësi janë rritur në patundshmëri, dhe arsye për këtë fenomen është se janë rritur çmimet e materialeve ndërtimore, dhe kjo ka rritur koston e ndërtimit të objekteve. Pra, kjo është arsye pse janë rritur çmimet e patundshmërive”.

ilustrim

Sa vite duhet që një banesë e lëshuar me qira të rikthej vlerën e investimit?

Sipas Agjencive të Patundshmërive në Prishtinë, çmimi i qirave në kryeqytetin e Kosovës, mbetet i lartë.

Sipas përfaqësuesve të agjencive, çmimi i qirave dallon shumë mes zonës qendër dhe periferive të qytetit.

Përfaqësuesi i Agjencionit Access Real Estate, Burim Halili ka thënë se qiratë dallojnë nga lagjja në lagje.

“Ndërsa në objektet e reja në Pejton për një banesë më dy dhoma gjumi, nën 500 euro për muaj nuk mund ta gjesh”, ka thënë Halili.

Tutje ai ka thënë se çmimi varion, pasi banesa prej banese ka dallim. Mirëpo te banesat me kushte të dobëta, të cilat i kanë dy dhoma gjumi, një sallon, kuzhinë, çmimi sillet 300 euro për muaj në qendër të Prishtinës. Ndërsa, ato me kushte më mesatare nga 350 – 400 euro në muaj, por për ato ekskluzivE që ka edhe garazh, shkojnë deri na 500 euro në qendër të Prishtënës”, ka thënë ai.

Burim Halili

Ndërsa për lagjet si, Dardania e Ulpiana, ka thënë se “banesat me kushte mestare me dy dhoma gjumi kanë çmimin nga 300 deri 350 euro”.

“Kurse, lagjet të cilat janë në periferi siç janë Muharrëm Fejza, Emshiri, kanë një çmim nga 250 deri 300 euro për muaj”.

Sa i përket kthimit të investimit në bazë të qiradhënies, duke krahasuar çminimin e blerjes, Mehmeti ka thënë se minimum për 25 vjet kthehet investimi.

“Për banesa kthimi investimit është nga 25 vjet deri 28 vjet”, ka thënë Milot Mehmeti.

Ndërsa, Burim Halili duket më optimist, ku sipas tij investimi i bërë arrihet për ”rreth 23 vjet”.

Sipas kalkulimt të Portali D nga të dhënat e mara rreth qirave në kryeqytet, qiraja mesatare është rreth 350 euro për muaj, e për t’u arritur çmimi i blerjes së një banese me sipërfaqe prej 80 metrash katrorë ishte rreth 120 mijë euro, del se investimi i bërë përmes qirasë mund të kthehet për rreth 28 vjet e gjysmë (350 euro në muaj  X 12 muaj = 4 mijë e 200 euro në vjet, rrjedhimisht 4 mijë e 200 euro x 28.6 =120 mijë e 120 euro).

 

Për punëtorët e ndërtimtarisë, çmim i ‘paarritshëm’ 

Për punëtorët e ndërtimtarisë të cilët punojnë në ndërtimin e ndërtesave në qendër të Prishtinës, ato mbesin diçka të paarritshme, pasi rrogat e tyre janë të ulëta, ndërsa kosto e blerjes është shumë e lartë.

Punëtori i ndërtimtarisë, Armend Gashi i cili është 25 vjeçar nga Komuna e Podujevës, ka thënë për Portali D, se me të ardhurat e tij mesatare është shumë problem për të blerë një banesë në Prishtinë.

“Unë si punëtor i ndërtimtarisë as për 50 vjet nuk mund ta blej, për të mos thënë hiç ose vetëm kush të gënjen”.

Armend Gashi

Gashi ka thënë se as në periferi të kryeqytetit “nën 40 vjet nuk besoj se mund të blej një banesë me rrogën time”.

Ai ka thënë se me pagën dhe me kushtet e punës në Kosovë është vështirë të bëhet pronar i një banese, andaj ai konsideron se alternativë e vetme për t’u bërë pronar i ndonjë banese është emigrimi.

“Vetëm jashtë vendit, se këtu nuk mund të bësh asgjë me rrogat tona”, ka thënë Gashi për Portali D.

Ndërsa, Fisnik Kurtishi, i riu nga Komuna Suharekës i cili është punëtor ndërtimtarie, derisa ishte duke punuar në lagjen Ulpiana të Prishtinës, ka thënë se i duhen së paku 35 vjet për t’u bërë pronar i një banese mesatare në Prishtinë.

“Me rrogën që e kam rreth 400 euro, për të blerë banesë në Prishtinë, më duhen rreth 35 vjet“, ka thënë Kurtishi.

Fisnik Kurtishi

Ai konsideron se ndërtimi i jetës familjare në Kosovë me kushtet me të cilat paguhet është shumë i vështirë, duke i shtuar kësaj edhe investimin që i duhet ta bëjë për të blerë një banesë mesatare, andaj edhe ai për Portali D ka thënë se e mendon migrimin jashtë vendit, qoftë edhe për punën e njëjtë që e bën në Kosovë.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika