Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton në favor të armëpushimit të menjëhershëm në Gaza
Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara me shumicë dërrmuese ka miratuar një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza. Rezoluta e paraqitur nga Jordania, në emër të grupit arab, dënon gjithashtu të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinezë dhe izraelitë, duke përfshirë të gjitha “sulmet terroriste […]
Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara me shumicë dërrmuese ka miratuar një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza.
Rezoluta e paraqitur nga Jordania, në emër të grupit arab, dënon gjithashtu të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinezë dhe izraelitë, duke përfshirë të gjitha “sulmet terroriste dhe pa dallim”.
Në rezolutë bëhet thirrje për ndihmë të papenguar dhe mbrojtje të civilëve, teksa ishin 120 vota pro, 14 kundër dhe 45 abstenime, shkruan BBC.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë ligjërisht detyruese, por ato kanë peshë morale për shkak të universalitetit të anëtarësimit të saj.
Kujtojmë se në këto momente në Gaza, Izraeli ka intensifikuar sulmet tokësore, teksa bëhet e ditur se qytetarët atje kanë mbetur pa asnjë lloj komunikimi me botën tjetër.
Ndërsa, rezoluta e OKB-së kërkon gjithashtu lirimin e pakushtëzuar të pengjeve.
Ata kanë bërë thirrje jo vetëm për një armëpushim humanitar dhe për lejimin e ndihmave në Gaza, por edhe “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar” të të gjithë civilëve që mbahen si robër.
Gjithashtu, përmes rezolutës kërkohet siguri, mirëqenie dhe trajtim i tyre human në përputhje me ligjin ndërkombëtar.















