Asamblistët e LVV-së nuk do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme për Planin Zhvillimor Komunal të Prishtinës
Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishitnë, ka reaguar pas njoftimit për seancë të jashtëzakonshme të cilën kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka thirrur për nesër, më 24.04.2025, ku në rend dite do të jetë Plani Zhvillimor Komunal (PZHK). Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të marrin pjesë në këtë seancë pasi që konsiderojnë […]
Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishitnë, ka reaguar pas njoftimit për seancë të jashtëzakonshme të cilën kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka thirrur për nesër, më 24.04.2025, ku në rend dite do të jetë Plani Zhvillimor Komunal (PZHK).
Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk do të marrin pjesë në këtë seancë pasi që konsiderojnë se ka shkelje ligjore në draftin e PZHK-së.
LVV u ka bërë thirrje edhe partive të tjera opozitare që ta refuzojnë pjesëmarrjen në këtë seancë.
Sipas Vetëvendosjes ky është tentimi i radhës për ta kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit.
“Ky është tentimi i radhës për ta kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit, për të cilin Ministria e Mjedisit ka konstatuar qartë shkelje të shumta procedurale dhe ligjore” – thuhet në reagimin e LVV-së.
Drafti aktual për Planin Zhvillimor Komunal sipas LVV-së ka 28 komente negative nga Minstria e Mjedisit, Planifikimt Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Ky draft aktual i PZHK-së, me 28 komente negative nga MMPHI, ndër të tjera parashikon zgjerim të zonave ndërtimore në mënyrë të pakontrolluar, projekton rrugë që kalojnë nëpër toka bujqësore të cilësisë së lartë dhe rrezikon zonat e mbrojtura ujore”-thuhet në reagim./Kallxo.com















