Kryetari i Qendrës për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore, Skënder Asani, ka zhvilluar sot një takim pune me këshilltarin politik Andrew Kovtun dhe analistin politik Adrian Ismaili, në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup.
Gjatë takimit u diskutuan tema me interes të përbashkët që lidhen me zhvillimet shoqërore, kulturore dhe demokratike në vend. Palët vlerësuan rëndësinë e ndërtimit të një shoqërie të qëndrueshme, të bazuar në dialog ndërkulturor dhe në forcimin e mekanizmave që nxisin stabilitetin dhe kohezionin shoqëror.
Një theks i veçantë iu kushtua ruajtjes, studimit dhe promovimit të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore, duke e cilësuar atë si një urë komunikimi ndërmjet kulturave dhe një bazë për mirëkuptim të ndërsjellë. Në këtë kuadër u nënvizua edhe roli i institucioneve shkencore dhe kulturore në dokumentimin dhe afirmimin e trashëgimisë historike.
Po ashtu, në takim u trajtua liria fetare dhe rëndësia e saj në konsolidimin e shoqërive demokratike. U theksua se respektimi i të drejtave dhe lirive fetare mbetet një nga shtyllat kryesore të demokracive moderne dhe një faktor kyç për ruajtjen e harmonisë ndërmjet komuniteteve.
Diskutimet përfshinë edhe sfidat dhe mundësitë për avancimin e dialogut ndërfetar, promovimin e tolerancës dhe forcimin e kulturës së paqes, si elemente të rëndësishme për besimin publik dhe zhvillimin demokratik.