Komuna e Skënderajt ka njoftuar se në bashkëpunim me policinë e Kosovës, kanë asgjësuar 300 kilogramë mish të prishur të cilët nuk kishin dokument të deklarimit.
Kjo ngjarje ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, dhe, sipas njoftimit të Komunës, Policia e Kosovës ka njoftuar Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës dhe Prokurorinë, të cilët kanë marrë veprimet e duhura ndaj personit përgjegjës.
“Sasia e mishit është asgjësuar dhe groposur sipas procedurave të kërkuara, nga Kompania “Uniteti”, thuhet në komunikatën e Komunës së Skënderajt.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe kryetari i komunës Fadil Nura, i cili ka thënë se shëndeti publik dhe jeta e qytetarëve janë parësore për të dhe se për rastet e ngjashme si kjo, do të ketë zero tolerancë.
“Dhe derisa janë të tilla, do të godasim me forcën e ligjit kudo që ka veprime të paligjshme në tregti, veçmas në rastet kur hasen në shitje të gjerave ushqimore me afat të skaduar”, ka thënë kryetari i Komunës së Skënderajt.
Tutje, Nura u ka bërë thirrje qytetarëve që për çdo parregullsi të ngjashme, ta lajmërojnë menjëherë inspektoratin e Komunës.
Rast i ngjashëm, por, me sasi shumë më të mëdha prej 36 mijë kilogram mish pa afat, ishin konfiskuar dhe asgjësuar në një depo të kompanisë tregtare “Elkos Group”, më 15 mars të këtij viti, në qytetin e Pejës.
Për rastin në fjalë, ishin arrestuar menaxheri kryesor i “Elkos Group” A.H., dhe zëvendës-menaxheri i depos A.A.
Përmes një njoftimi në Facebook, kompania “Elkos Group”, ishte arsyetuar se “menaxhmenti ka qenë duke e përgatitur kërkesën për asgjësim malli në ATK dhe AUV, ku në këtë drejtim ka pasur lëshime”.
Sipas tyre, sasia e mishit pa afat, nuk kishte për synim shpërndarjen në treg.