Kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar 1 milion e 420 mijë e 148 qytetarë.

Ai ka theksuar se komunitetet janë duke marrë pjesë në veri, ka hezitim, por se po presin që këto ditë të regjistrohen.

Në konferencë për medie, Kastrati ka thënë se numri i qytetarëve të diasporës të regjistruar online ka kaluar 400 mijë, me pjesën dërrmuese të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, por që kanë nënshtetësi të Kosovës.

“Për diasporën, është kaluar numri mbi 400 mijë që janë regjistruar online, pjesa dërrmuese janë qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë, por që kanë nënshtetësi të Kosovës. Nuk ka ndonjë rast që mund të jetë gabim”, ka thënë ai në konferencë për medie.

Kreu i ASK-së ka thënë po ashtu se nga sot fillon shërbimi i regjistrimit për qytetarët nga objektet komunale në Prishtinë dhe Prizren.

Kastrati ka theksuar se ata që dëshirojnë të regjistrohen mund të shkojnë në zyrën e tyre të komunës.

Ai, gjithashtu, ka njoftuar se vetëm Komuna e Dragashit ka kërkuar shtyrjen e procesit, ndërsa janë duke diskutuar për të shmangur shtyrjen, duke ofruar mbështetje personeli nga komunat e tjera.

“Zyrtarisht vetëm në komunë, është Dragashi që ka bërë kërkesë që të shtyhet procesi, jemi në diskutim me këtë komunë, me qëllim që të mos shtyhet, pasi do ta mbështesim me staf nga komuna tjera, zyrtarisht nuk kemi kërkesë nga komuna tjera, por është thënë se sot do të vijnë disa kërkesa që të shtyhet procesi”, ka thënë ai.

Kastrati, gjithashtu, theksoi sfidat që ka Dragashi me disa zona vendbanimesh që kanë refuzuar regjistrimin në fillim, duke shtuar se edhe regjistruesit kanë hasur vështirësi në pranim në këto komunitete.

Megjithatë, ai shprehu besimin se në kohë, procesi do të kryhet edhe në Dragash.