Përderisa në veri të vendit gjyqtarë, prokurorë e zyrtarë policor janë duke i dorëzuar dorëheqjet e tyre, situatë krejt tjetër shihet në komunat me shumicë serbe në rajonin e Anamoravës.

Vendimi i Listës Serbe për tërheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës, nuk ka gjetur përkrahje sidomos në Komunën e Novobërdës.

Këtë e ka konfirmuar edhe Jetmir Tahiri, banor i këtij qyteti, që shton se jo vetëm kjo Gjykatë por edhe institucionet qeverisëse lokale janë duke funksionuar plotësisht.

“Jemi në dijeni që komuna është duke funksionuar, kryetari nuk është dorëhequr, janë edhe policët që i takojnë komunitetit serb në stacionin e policisë, por edhe Gjykata këtu është duke funksionuar. Ne po e shohim se punëtorët janë duke ardhur me rregull, dhe çdo shërbim është duke u kryer. Këtë e dijmë deri tash, çka ndodh tutje nuk e di, mirëpo tani është duke u kryer çdo institucion në këtë komunë”, ka thënë, Jetmir Tahiri, Banor i Novobërdës.

E njëjta situatë është edhe në institucionet e drejtësisë. Aktualisht asnjë prokuror nuk është dorëhequr, kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit.

“Ju njoftojmë se sa i përket Prokurorisë Themelore në Gjilan, asnjë Prokuror i shtetit e as staf administrativ që i përket nacionalitetit serb, nuk ka dhënë dorëheqje”, ka deklaruar Prokuroria Themelore Gjilan.

Largime nuk ka pasur as nga Gjykata e Gjilanit por as nga degët tjera në këtë rajon.

“Gjykata Themelore në Gjilan e cila në kuadër të saj ka edhe Degët Kamenicë, Viti dhe Novobërdë vazhdon të punojë me gjithë stafin dhe gjyqtarët, duke përfshirë edhe ata nga komuniteti serb. Seancat janë mbajtur ashtu siç kanë qenë të paraparë të mbahen dhe nuk ka dështuar ndonjë seancë për arsyet që i cekni ju. Jemi duke punuar me gjitha kapacitetet dhe puna po vazhdon normalisht”, ka deklaruar Gjykata Themelore e Gjilanit.

Burime të Televizionit Dukagjini, e kanë konfirmuar se as në Komunën e Vitisë por as në degën e Gjykatës në këtë qytet, nuk ka persona të dorëhequr dhe puna po vazhdon normalisht.

Situatë e njëjtë është edhe në Stacionin e Policisë në Partesh, që jozyrtarisht, RTV Dukagjini mëson se nuk ka asnjë zyrtar policor të dorëhequr.

Qytetarët e nacionalitetit serb që jetojnë në rajone tjera të Kosovës, pos në veri, edhe në raste të tjera nuk i janë përgjigjur kërkesave të Listës Serbe për bojkotim të punës e vendimeve të institucioneve shtetërore të Kosovës.