Analistët politikë në vend formimin e Asociacionit po e shohin si çelësin e rikuperimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimin Evropian (BE).

Ndonëse vlerësojnë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë shumë shpejt dhe se duhet kohë e përpjekje e vazhdueshme.

Profesori universitar, Dritëro Arifi, ka thënë se rikuperimi i marrëdhënieve me Amerikën e BE-në mund të bëhet vetëm me formimin e Asociacionit, sipas tij, për këtë duhet një vullnet politik për ta bërë këtë.

“Mundemi me çdo kryeministër tjetër nëse elita politike në Kosovë e ka një qëndrim të definuar për çështjen e marrëveshjes se Ohrit, prandaj ende nuk kemi qëndrim të definuar a dëshirojmë apo nuk dëshirojmë ta bëjmë Asociacionin”.

“Këtu është problemi i vetëm i Kosovës, të tjerat janë pasojë, të tjerat nuk janë problem i Kosovës janë probleme, të cilat perëndimi nuk po e ka një gjuhë që ta zgjidhë problemin e Kosovës. Po Kosova e ka veç një obligim me e formuar Asociacioni, nëse dëshirojmë me e formua, por kjo varet nga vullneti politik i elitës politike. Pra, nëse ka vullnet Kosova i rikuperon të gjitha problemet që i ka, sidomos me ShBA dhe BE-në”, tha ai.

Ai theksoi se serbët në Kosovë kanë të drejta më së shumti në Evropë dhe që ato i keqpërdor.

“Absolutisht është problemi kryesor, sepse nuk ka pakicë e cila i ka të gjitha këto të drejta dhe i keqpërdor. Pra, është i vetmi vend në Evropë që edhe ka drejta më shumë edhe keqpërdoren”, tha Arifi për EO.

Analisti politik, Arbonr Sadiku, tha se ka pasur një qarje të raporteve ndërkombëtare midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Është e vërtetë që kemi pasur një qarje të raporteve ndërkombëtare midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për faktin që Kosova në njëfarë forme besimin e dhënë nga ShBA e ka marrë si të mirëqene dhe si një shabllon, i cili do të vazhdojë në vazhdimësi, pavarësisht veprimeve tona të brendshme që reflektojnë në politikën e jashtme dhe në politikën ndërkombëtare”.

“Kjo u pa që ka qenë një perceptim i gabuar, sepse ShBA nuk kanë më asnjë vend, raporte miqësore të përhershëm, por kanë më tepër realizim të interesave qoftë politikës ndërkombëtare, qoftë edhe të rajonit të Ballkanit Perëndimorë”, tha ai.

Ai tha se rikuperimi i marrëdhënieve nuk do të jetë i menjëhershëm, por sipas tij, së paku duhet të plotësohen kërkesat e ShBA-së e BE-së, që të paktën Kosova të mos dëmtohet edhe më shumë.“Ajo që vërehet deri më tani është që ka pasur një dëm, ai është shkaktuar nga vetë Kosova, rikuperimi i tyre do të mund të behej jo i menjëhershëm po së paku që të arrihej një marrëveshje për këto tri pikat që i ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare”.

“Praktikisht, unë mendoj që Kurti do ta ketë të vështirë që t’i rikuperojë dhe ta fitojë besimin e menjëhershme të ShBA-ve, por në rast se arrin një marrëveshje, konsideroj që të paktën Kosova nuk do të arrijë që të dëmtohet më masën e caktuar”, tha ai./EO