Assadi flet pas rënies nga pushteti: S’kisha plan të largohesha nga Siria, Rusia kërkoi evakuim
Presidenti i rrëzuar i Sirisë, Bashar al-Assad, ka shpërndarë mesazhin e tij të parë që nga zhvendosja në Moskë, duke sqaruar rrethanat e tërheqjes nga Siria në 8 dhjetor 2024. Në një deklaratë, Assad ka theksuar se largimi i tij nuk ishte i planifikuar, por një pasojë e përhapjes së shpejtë të terrorizmit që arriti […]
Presidenti i rrëzuar i Sirisë, Bashar al-Assad, ka shpërndarë mesazhin e tij të parë që nga zhvendosja në Moskë, duke sqaruar rrethanat e tërheqjes nga Siria në 8 dhjetor 2024.
Në një deklaratë, Assad ka theksuar se largimi i tij nuk ishte i planifikuar, por një pasojë e përhapjes së shpejtë të terrorizmit që arriti deri në Damask.
Ai ka potencuar se qëndroi në kryeqytet deri në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit, ndërkohë që forcat terroriste depërtuan në Damask.
“Unë nuk u largova nga Damasku në mënyrë të planifikuar, por qëndrova deri në orët e hershme të mëngjesit. U zhvendosa në bazën Hmeimim për të mbikëqyrur operacionet dhe me rënien e pozicioneve të fundit ushtarake, Moska kërkoi që të evakuohesha menjëherë në Rusi”, ka theksuar Assad.
Ai ka deklaruar se në asnjë moment nuk kishte menduar të tërhiqej apo të kërkonte strehim, duke pohuar se “e vetmja mënyrë veprimi ishte vazhdimi i luftës kundër sulmit terrorist.”
Assad rikujtoi “angazhimin e tij të vazhdueshëm për popullin sirian”, duke thënë se nuk kishte kërkuar kurrë përfitime personale, por kishte qëndruar përkrah ushtarëve dhe popullit të tij gjatë gjithë periudhës së luftës.
Assad u largua nga kryeqyteti sirian pas një ofensive të rrufeshme nga forcat anti-regjim në të gjithë vendin – duke i dhënë një fund të papritur sundimit të tij 24-vjeçar.
Ai pretendoi se kishte mbetur në Damask “duke kryer detyrat e mia” derisa forcat rebele hynë në qytet dhe vetëm atëherë, në koordinim me forcat ruse, ai u zhvendos në bazën e Moskës në provincën bregdetare të Latakisë.
“Në asnjë moment gjatë këtyre ngjarjeve nuk kam menduar të tërhiqem apo të kërkoja strehim, as nuk është bërë një propozim i tillë nga ndonjë individ apo palë. E vetmja mënyrë veprimi ishte vazhdimi i luftës kundër sulmit terrorist”, thuhet në deklarimin e tij.
Vendndodhja e tij, si dhe e gruas së tij Asma dhe tre fëmijëve të tyre, fillimisht ishin të panjohura, derisa Rusia ka theksuar se Assad ishte larguar nga Siria pas negociatave me grupet rebele.
Deklarata gjithashtu ka theksuar se së shpejti do të sigurojë një “rrëfim të detajuar të ngjarjeve që u shpalosën” kur të lejojë koha.















