Një atentat i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Balldre të Lezhës, ku një burrë dhe bashkëshortja e tij kanë mbetur të vrarë.
Sipas informacioneve fillestare, automjeti me të cilin po lëviznin është qëlluar me mbi 30 plumba, duke u shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendngjarje.
Siç raporton Top Channel, njëri prej viktimave kishte qenë i arrestuar në tetor të vitit 2017, si i dyshuar për një vrasje të ndodhur në Shkodër, për të cilën akuzohej për “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Kreu i Policisë së Lezhës ka konfirmuar se mjeti është sulmuar me breshëri plumbash teksa ishte në lëvizje.
Ndërkohë, forcat e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 14:50 në dalje të fshatit Balldren, Lezhë, në rrugën Balldren-Torrovicë, në rrethana ende të paqarta gjatë lëvizjes, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit Audi, me drejtues shtetasin K. M., 39 vjeç, që udhëtonte sëbashku me bashkëshorten e tij, shtetasen G. M., 32 vjeçe, të cilët kanë humbur jetën në vendngjarje.
Shërbimet e policisë pas njoftimit të marrë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve