Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se personat fizikë që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e banesave, shtëpive apo pronave të tjera, përfshirë edhe përmes platformave elektronike si Airbnb, janë të obliguar t’i deklarojnë këto të ardhura dhe të paguajnë tatimin sipas ligjit në fuqi.
Sipas ATK-së, gjatë aktiviteteve për identifikimin e ekonomisë joformale, janë analizuar të dhënat dhe informacionet në dispozicion, me ç’rast është konstatuar se një numër personash kanë realizuar të ardhura nga qiraja e pronave, por nuk janë regjistruar në ATK dhe nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre tatimore.
“ATK u bën thirrje të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave dhe që ende nuk i kanë deklaruar ato, që sa më parë t’i përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre tatimore”, thuhet në njoftimin e ATK-së.
Sipas institucionit, personat e obliguar duhet të pajisen me Numër Fiskal, nëse nuk janë të regjistruar, të deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe të paguajnë detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.
ATK ka bërë të ditur se posedon të dhëna që mundësojnë identifikimin e personave që realizojnë të ardhura nga qiratë.
“Nëse këta persona nuk përmbushin vullnetarisht detyrimet e tyre, ATK do të ndërmarrë veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.
Masat që mund të ndërmerren përfshijnë regjistrimin sipas detyrës zyrtare, vlerësimin e detyrimeve tatimore bazuar në informacionet dhe provat në dispozicion, ngarkimin e interesave dhe gjobave, si dhe masa të tjera administrative e ligjore.
ATK ka theksuar se mbetet e përkushtuar në promovimin e përmbushjes vullnetare të obligimeve tatimore dhe në sigurimin e trajtimit të barabartë për të gjithë tatimpaguesit.
