Administratës Tatimore të Kosovës i janë bashkuar 39 punonjës të rinj, prej tyre 32 inspektorë fillestarë dhe shtatë mbledhës të borxheve.
Sipas ATK-së, rekrutimi synon rritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të institucionit, veçanërisht në fushën e inspektimit tatimor dhe mbledhjes së borxheve.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, u ka uruar suksese punonjësve të rinj dhe i ka përgëzuar për rezultatet e arritura gjatë procesit të përzgjedhjes.
“Ju uroj suksese në detyrat tuaja të reja dhe ju përgëzoj për rezultatet e treguara gjatë këtij procesi. Mbi 2,000 kandidatë kanë konkurruar për këto pozita, ndërsa ju tashmë mbani një përgjegjësi të rëndësishme për të dëshmuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin tuaj në shërbim të tatimpaguesve dhe shtetit”, tha Hyseni.
Sipas njoftimit, në fazat e vlerësimit kanë marrë pjesë 1,887 kandidatë, ndërsa përzgjedhja është realizuar përmes një procesi publik dhe konkurrues nga një komision i jashtëm.
Tutje në njoftimin e ATK-së thuhet se procesi është bazuar në parimet e meritës, profesionalizmit, transparencës dhe objektivitetit.