Australia padit Telegramin për materiale të dyshuara pro-terroriste

Rregullatori australian i sigurisë në internet ka nisur procedura ligjore ndaj platformës së mesazheve Telegram, duke e akuzuar për dështim në largimin e materialeve të dyshuara pro-terroriste nga shërbimi i saj.

Zyra e Komisioneres, Julie Inman Grant, njoftoi se veprimi ligjor është ndërmarrë pasi Telegram dyshohet se nuk ka hequr video që përmbanin ekzekutime terroriste dhe sulme masive me armë, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

“Sipas pretendimeve tona, ky rast lidhet me materiale të lidhura me disa nga aktet më famëkeqe të dhunës ekstremiste në historinë e fundit, përfshirë përmbajtje të asociuara me sulmet terroriste në Christchurch dhe Buffalo”, deklaroi Inman Grant.

Ajo shtoi se përmbajtja në fjalë ka mbetur e qasshme në platformë edhe pasi Telegram ishte njoftuar për ekzistencën e saj.

Sipas autoriteteve australiane, mosrespektimi i kodeve dhe standardeve kombëtare për sigurinë në internet mund të sjellë gjobitje civile deri në 54.6 milionë dollarë australianë (rreth 38 milionë dollarë amerikanë).

Telegram i ka mohuar akuzat dhe ka bërë të ditur se do t’i kundërshtojë ato në gjykatë.

“Ne i refuzojmë këto pretendime dhe do t’i kontestojmë në gjykatë”, tha një zëdhënës i kompanisë, duke shtuar se përpjekjet e Telegramit kundër terrorizmit janë të dokumentuara dhe se vetëm gjatë vitit 2026 platforma ka bllokuar mijëra komunitete ekstremiste.

Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, eSafety pretendon se përdorues australianë të Telegramit kanë raportuar 12 postime me përmbajtje pro-terroriste gjatë periudhës korrik–tetor 2025, ku tre prej tyre përmbanin materiale të njohura terroriste.

Sipas padisë, Telegram nuk ka hequr 10 nga këto postime dhe nuk ka pezulluar apo bllokuar llogaritë që i kishin publikuar ato.

Telegram është një nga aplikacionet më të shkarkuara në botë dhe kompania pretendon se ka mbi 1 miliard përdorues aktivë në muaj.

Themeluesi i platformës, Pavel Durov, u largua nga Rusia në vitin 2014 dhe zhvendosi veten dhe kompaninë në Dubai në vitin 2017. Telegram është bërë një burim i rëndësishëm informacioni për luftën në Ukrainë dhe përdoret gjerësisht nga zyrtarë si në Moskë, ashtu edhe në Kiev.

Rasti vjen në një moment kur autoritetet ruse kanë ngritur gjithashtu akuza ndaj Durovit, duke pretenduar se aplikacioni po përdoret nga spiunë ukrainas për organizimin e sulmeve brenda territorit rus.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika