Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) u ka bërë thirrje bizneseve që të respektojnë Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe të përmbahen nga çdo rritje e pajustifikuar e çmimeve gjatë festave të fundvitit.
Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, AKK thekson se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut, kufizimin e konkurrencës apo abuzimin me pozitën dominuese, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është e dënueshme me sanksione ligjore.
Autoriteti ka bërë të ditur se nga fillimi i muajit dhjetor e deri në fund të vitit, të gjithë inspektorët e AKK-së do të jenë çdo ditë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet dhe rritjet e çmimeve në treg.
“Me afrimin e festave të fundvitit dhe rritjen e kërkesës për produkte dhe shërbime, Autoriteti i Konkurrencës u bën apel të gjitha bizneseve dhe operatorëve ekonomikë që të përmbahen nga çdo rritje e pajustifikuar e çmimeve, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, thuhet në njoftim.
AKK-ja u ka thënë thirrje konsumatorëve që raportojnë çdo dyshim për rritje të pajustifikuar ose të koordinuar të çmimeve, në mënyrë që Autoriteti të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.