Autostrada e Anamoravës, peng i shpronësimit dhe shtrenjtimit të materialit
Në rrugën që të dërgon për në Prishtinë nga pjesa e Gjilanit ka javë që nuk po punohet. Punimet në autostradën Gjilan-Prishtinë nga këtu nga fshatin Bresalc në drejtim të Lipjanit kanë nisur në vitin 2018. Punimet janë ndalur ndërsa sipas banorëve problem po del të jetë shpronësimi i tokave. Enver Baftiu banor i fshatit […]
Në rrugën që të dërgon për në Prishtinë nga pjesa e Gjilanit ka javë që nuk po punohet.
Punimet në autostradën Gjilan-Prishtinë nga këtu nga fshatin Bresalc në drejtim të Lipjanit kanë nisur në vitin 2018.
Punimet janë ndalur ndërsa sipas banorëve problem po del të jetë shpronësimi i tokave.
Enver Baftiu banor i fshatit Bresalc thotë se Ministria e Infrastrukturës ia ka kryer pagesën për shpronësimin e shtëpisë por jo edhe pagesën për një pjesë të pronës.
“Nuk është në interesin tonë të pengojmë punën por duhet me i lëshu paret që mos me na pengu as neve. Por pagesat duhet me na i përfundu edhe për tokat këtu por edhe për pronën tjetër në Zhegovc”, shprehet Baftiu.
Duke u nisur nga përvoja në të kaluarën Baftiu zotohet se pa i marr të hollat për 12 ari tokë nuk do të lejojë punimet në autostradë.
Përpos problemeve me shpronësime, zyrtar të komunës së Gjilanit thonë se ekzistojnë motive tjera që e kanë bllokuar punën në këtë projekt.
“Ne jemi në kontakt me Ministrisë e Infrastrukturës mirëpo akoma nuk kemi arritur në ndonjë zgjidhje. Për momentin si pasojë e rritjes së çmimeve operatorët kërkojnë që të bëhet rritja edhe të ndryshojë në raport me atë që ka qenë në të kaluarën”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin Leonora Morina Bunjaku, nënkryetare e Komunës së Gjilanit.
Bunjaku shpjegon se si komunë nuk kanë kompetenca përpos konsultimeve me ministrinë përkatëse. Pikërisht për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Qeverinë Kurti ka kritika ish-kryetari i Gjilanit.
“Në këtë segmentin e fundit Qeveria duhet me i ik justifikimeve të pa arsyeshme, duhet po ashtu me ju ik pengesave burokratike të pa arsyeshme. Duhet me e buxhetu edhe me e përfundu rrugën sa më shpejtë, sepse kjo është një ndër projektet kryesore dhe e lidh infrastrukturën por edhe e lehtëson jetën e qytetarëve”, ka deklaruar për RTV Dukagjini Lutfi Haziri.
Haziri vlerëson që projekti që kishte nisur në mandatin e tij është jetik për komunat e Anamoravës me theks kryeqendrën, Gjilanin. Puna në këtë rrugë ishte paraparë të përfundojë për 30 muaj. Ministri që këtë afat e kishte përmendur më 15 prill 2018, fajtor për vonesat e lë Qeverinë Kurti.
“Fatin e keq e ka kjo Autostradë e Gjilanit pasi Ministria e Infrastrukturës nuk ka ndarë buxhet, dukë bërë kështu që të zvarriten punët dhe të pësojnë qytetarët dhe bizneset e Anamoravës. Vlerësimi im është negativ, sepse Qeveria nuk e ka prioritet këtë autostradë ashtu sikurse autostradën e Dukagjinit. Është zhgënjyese kur Qeveria Kurti ka marr besim shumë të madh në zgjedhjet nacionale nga Anamorava, ndërsa praktikisht në ndarjet buxhetore dhe projekte nuk e ka prioritet këtë pjesë të Kosovës”, ka deklaruar ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Pikërisht Ministria e Infrastrukturës nga RTV Dukagjini është pyetur për kohën se kur pritet të përfundoj ky projekt dhe arsyet që po pengojnë vazhdimin e punës por kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.
Për autostradën që do të jetë korridori kryesor për disa komuna të këtij rajoni nuk dihet as sa kilometra është e përfunduar.
Për përfundimin e segmentit 22 kilometra Banullë-Bresalc ishin ndarë mbi 80 milionë euro.
Ndërkaq ende nuk janë kontraktuar edhe 25 kilometra tjera që kompletojnë segmentin 47 kilometra Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë në kufirin me Serbinë.















