AUV bastiset përsëri – Peci thyen heshtjen pas intervistimit në Polici
Në zyrat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, hetuesit kanë zbarkuar përsëri të mërkurën. Në kuadër të aksioneve mbi hetimet për fabrikën për mbetje shtazore, Prokuroria Speciale vazhdoi edhe sot me bastisjet në këtë agjenci. “Ju njoftojmë se bastisja ka përfunduar. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me hetuesit policorë, po ndërmerr veprimet […]
Në zyrat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, hetuesit kanë zbarkuar përsëri të mërkurën.
Në kuadër të aksioneve mbi hetimet për fabrikën për mbetje shtazore, Prokuroria Speciale vazhdoi edhe sot me bastisjet në këtë agjenci.
“Ju njoftojmë se bastisja ka përfunduar. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me hetuesit policorë, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të japim më shumë detaje rreth rastit”, thuhet nga Prokuroria.
Nga Prokuroria Speciale, nuk kanë bërë të ditur nëse aksioni do vazhdojë me lokacionet e tjera dhe intervistimin e drejtorëve të tyre.
Ndonëse ditën e kaluar, ministri në detyrë i Bujqësisë Faton Peci shmangu mediat pasi u intervistua për mbi pesë orë nga njësia e veçantë e hetimeve në cilësinë e të dyshuarit, një deklarim e bëri përmes rrjete sociale.
Peci u shpreh i bindur në pafajësinë e tij.
“U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë. Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin!
Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare. Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim. Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot!”, ka shkruar Peci.
Ditën e djeshme, nga AUV u intervistua drejtori ekzekutiv i saj, Bekim Hoxha.
Në një deklarim të shkurtër një ditë më parë avokati i tij tha se klienti i tij nuk ishte përfshirë në ndonjë vepër penale dhe se do jenë të gatshëm
“Më shumë se qe jam deklaruar dje nuk mund të deklarohem. Rasti është nën hetime. Nëse do të ketë zhvillime të reja do të deklarohem. Për momentin mund t’i referoheni deklarimit të djeshëm”, ka deklaruar Artan Qerkini, Avokat i drejtorit të AUV, Bekim Hoxha.
Siç është raportuar në Debat Plus e pastaj edhe në Kallxo.com, Peci dyshohet se pa ankand publik, ia ka dhënë kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” me qira për 20 vjet impiantin publik për mbetjet shtazore.
Njëra nga kompanitë fituese, pjesë e konsorciuimit, u regjistrua vetëm 5 ditë pas publikimit të thirrjes së dytë për aplikim për kontratën për funksionalizimin e fabrikës dhe për përpunimin e mbetjeve shtazore, themelues të së cilës ishin kompani serbe.















