Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosur masën e ndalesës së pakohshme, për import të ruminantëve të vegjël dele dhe dhi nga gjithë territori i Shqipërisë.

Sipas njoftimit të AUV-it, kjo masë u mor pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës, njofton Dukagjini.

“Thërrasim për vëmendje Komunat e Kosovës të brezit kufitarë me Shqipërinë, përmes drejtorive të për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë. Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre, të shmangin çfarëdo kontakti me kopetë e fermerëve nga Shqipëria. Autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe zonat e brezit kufitar me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës” thuhet në njoftimin e AUV-it.

Ndërkohë, fermerëve u është bërë thirrje të rrisin vigjilencën, të shmangin kontaktin e tufave me kafshë të tjera dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë tek shërbimet veterinare.

PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë.

Kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.