Analizat e kryera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në sektorin e qumështit kanë zbuluar se një pjesë e konsiderueshme e produkteve kanë pasur përbërës të padeklaruar në etiketë.
Në një konferencë për media të martën, drejtori ekzekutiv i AUV-së, Bekim Hoxha, bëri të ditur se gjatë periudhës prill-korrik janë kryer kontrolle në treg, në njësitë prodhuese, në kufij dhe te përpunuesit e qumështit. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë marrë gjithsej 495 mostra, të cilat i janë nënshtruar analizave laboratorike.
Hoxha tha se nga këto analiza janë evidentuar 93 raste të mospërputhjeve, ku pjesa më e madhe lidhet me praninë e përbërësve që nuk janë deklaruar në etiketën e produkteve.
Sipas tij, në 46 raste është identifikuar prania ose mosdeklarimi i vajit të palmës, ndërsa raste të tjera kanë të bëjnë me vajra bimorë, niseshte dhe qumësht pluhur.
“Analizat në laboratorin e AUV-it kanë treguar se në mbi 90 për qind të rasteve të mospërputhjeve, përbërësit nuk janë proklamuar në etiketë në mënyrën e kërkuar sipas legjislacionit në fuqi. Kjo nënkupton se konsumatori nuk ka pasur informacion të plotë dhe të saktë mbi përbërjen e produktit që ka blerë”, ka deklaruar Hoxha.
Ai ka bërë të ditur se në 85 raste është konstatuar prania e përbërësve të padeklaruar në etiketë, ndërsa në tetë raste të tjera janë gjetur përbërës të deklaruar në etiketë, por që nuk janë detektuar gjatë analizave laboratorike.
“Kur një produkt përmban vaj palme, yndyrë bimore apo përbërës të tjerë alternativë, duhet të tregohet qartë. Konsumatori duhet të informohet saktë dhe në mënyrë transparente”, ka theksuar Hoxha.
Sipas tij, kontrollet kanë evidentuar edhe raste kur operatorë të ndryshëm kanë pasur aprovime për përpunimin e qumështit dhe produkteve të qumështit, por jo edhe për përdorimin apo përpunimin e vajit të palmës, yndyrave bimore, qumështit pluhur apo përbërësve të tjerë zëvendësues.
Hoxha ka thënë se aksioni nuk ka qenë kundër sektorit të qumështit dhe se rezultatet s’duhet të shihen si tregues se sektori është i pasigurt. Ai ka thënë se ka nevojë për vazhdim kontrolli teksa nga AUV-ja është rekomanduar për rregulla më të qarta për prodhimin, autorizimin, emërtimin dhe etiketimin e produkteve që përmbajnë vajra bimorë e zëvendësues të tjerë.
Ministri i Bujqësisë, Armend Muja ka thënë se qumështi i fermerëve të Kosovës është më i miri. Por sipas tij jo gjithmonë pas dorëzimit ai e ruan cilësinë.
“Kjo ka qenë arsyeja pse kontrolli zyrtar është kryer te përpunuesit dhe te distributorët.
“Aty siç evidentohen nga raporti ka të tillë që e kanë tradhtar besimin e fermerit dhe të konsumatorit”, është shprehur Muja.
Ai ka treguar edhe masat që do të ndërmerren.
“Ata të cilët kanë lëshuar gabime të tilla në emër të profitit, pa konsideruar ndjeshmërinë, do të përballen me masa korrigjuese. Ato do t’i komunikojë fillimisht AUV-ja dhe pastaj ne do të krijojmë një matricë të përputhshmërisë, produktet me shkelje kritike do të tërhiqen nga tregu, aktivitete e paligjshme dhe të paaprovuara duhet të suspendohen ashtu siç e kërkon ligji dhe të gjitha aktivitetet e tjera duhet të monitorohen rreptë nga AUV-i që të sigurohet që produktet i përmbushin kriteret”, ka theksuar Muja.