Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të qumështit UHT “Land” 3.2% i Qumështores “Vita”, pasi në këtë produkt është konstatuar nivel mbi kufirin e lejuar i aflatoksinës M1.
Sipas AUV-së, informacioni zyrtar është pranuar nga autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Produkti është prodhuar nga kompania ABRAZEN L.L.C., përkatësisht Qumështorja VITA, në stabilimentin me numër RKS-014.
AUV ka nisur kontrollin zyrtar dhe verifikimin e gjurmueshmërisë për të identifikuar produktet e prekura dhe për të siguruar tërheqjen e tyre nga tregu.
Agjencia ka bërë të ditur se, në bazë të Ligjit për Ushqim, ushqimi konsiderohet i dëmshëm dhe i pasigurt për konsum në rast se përmban mykotoksina mbi kufijtë e lejuar.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Shëndetësisë, AUV do të përcaktojë edhe masat e mëtejshme ndaj stabilimentit RKS-014 – ABRAZEN L.L.C. (Qumështorja VITA).