Ish-veprimtari i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) dhe ish-anëtari i Komitetit Drejtues, Ramadan Avdiu, ka folur për rolin e Behajdin Allaqit në strukturat e LPK-së dhe pjesëmarrjen e tij në Mbledhjen e III-të të Përgjithshme të kësaj organizate.
Duke folur në Debat Plus, Avdiu ka thënë se Allaqi nuk ishte zgjedhur as anëtar i Këshillit Drejtues dhe as anëtar i Kryesisë së LPK-së, duke theksuar se ai nuk kishte insistuar për një pozitë të tillë.
“Behjadin Allaqi nuk është zgjedh as anëtar i Këshillit Drejtues, anëtar i Kryesisë. Sepse nuk ka insistuar asnjëherë të zgjidhet, as nuk ka dashur të garojë, për shkak se emri i tij ka qenë i ekspozuar publikisht…”, ka deklaruar Avdiu.
Avdiu ka folur për mbledhjen ku morën pjesë delegatë nga këshillat e LPRK-së, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe Behajdin Allaqi.
Në Mbledhjen e III-të të Përgjithshme u aprovuan ndryshime programore dhe statutare, ndërsa u zgjodhën Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e LPK-së. Kryetar i Kryesisë u zgjodh Gani Syla.
Sipas të dhënave për këtë mbledhje, në udhëheqjen e ngushtë të LPK-së u zgjodhën, ndër të tjerë, Xhavit Haziri, Ramadan Avdiu, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Ahmet Haxhiu, Musa Demiri, Ramë Buja, Azem Syla, Hidajete Krasniqi, Guximtar Labënishti, Fadil Bajrami dhe Nazmi Hoxha.
Behajdin Allaqi, profesor nga Prizreni dhe veprimtar politik, u zhduk në qershor të vitit 1998. Rrethanat e zhdukjes së tij mbetën të pasqaruara për vite.
Në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të shpallur më 16 shtator 2026 ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, gjykata konstatoi se Allaqi ishte vrarë pasi ishte marrë i prangosur nga shtabi i UÇK-së në Drenoc të Rahovecit.
Mbrojtja e Thaçit e ka kundërshtuar trajtimin e këtij rasti nga gjykata, duke argumentuar se, ndërsa përfundimet lidhur me vrasjen e Allaqit u bënë publike, provat mbi të cilat u mbështetën ato mbetën konfidenciale.