Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka komentuar lëvizjet politike dhe kalimet e ish-deputetëve nga një subjekt politik në tjetrin, duke i cilësuar ato si “transfere”.
Në FIVE të TV Dukagjinit, Rexhaj tha se fenomeni i kalimeve politike nuk është i ri dhe sipas tij “transfere ka pasur, ka dhe do të ketë”.
Në këtë linjë, vlen të përmendet se Haxhi Avdyli dhe Jeta Statovci, të cilët ishin në legjislaturën e kaluar deputetë në Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes, i janë bashkuar ish-presidentes Vjosa Osmani, për zgjedhjet e 7 qershorit.
Rexhaj kritikoi praktikën e largimit nga një parti politike dhe më pas rikthimin apo kalimin në një tjetër, duke e cilësuar këtë si mungesë qëndrueshmërie politike dhe ideologjike.
“Transfere ka pasur, ka dhe do të ketë; nuk ndalen kurrë. Është çështje personale e përzgjedhjes së atyre që duan. Mendoj që problemi bazik i një politikani është se ku e fillon rrugëtimin politik, e më pas çfarë drejtimi merr. Kur e shndërron vetveten në transfer politik dhe largohesh nga një shtëpi politike, për të cilën vetë ke thënë se të kanë përzënë, e pastaj rikthehesh, mendoj që kjo duhet të shihet dhe analizohet nga qytetarët. Edhe pse ti i quan lëvizje, unë i quaj transfere. Është e papërgjegjshme që një deputet, i cili merr vota në një shtëpi të madhe politike si LVV-ja, e më pas shkon prapë aty prej nga ishte përzënë dhe pretendon se e ka gjetur rrugën e drejtë, mbi bazën e idealeve që po thonë ata”, ka thënë Rexhaj.