Avionët izraelitë e bombardojnë Qytetin Gazës pasi Netanyahu urdhëroi “sulme të fuqishme”

Aeroplanët luftarakë izraelitë kryen bombardime në Gazë të martën në mbrëmje, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu e akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit dhe e urdhëroi ushtrinë të kryejë “sulme të fuqishme”.

Të paktën tetë njerëz u vranë nga sulmet, përfshirë tre në lagjen Sabra të Qytetit të Gazës dhe pesë të tjerë në një makinë të shënjestruar në Han Junis, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Ushtria izraelite nuk ka folur ende për bombardimet, të cilat përbëjnë shpërthimin më të fundit të dhunës qëkurse filloi armëpushimi i brishtë tri javë më parë.

Më herët, zyra e Netanyahut njoftoi se ai kishte urdhëruar sulme të menjëhershme, duke mos dhënë më shumë hollësi, por një zyrtar ushtarak izraelit tha se Hamas e ka shkelur armëpushimin duke kryer një sulm kundër forcave izraelite në një zonë të enklavës që është nën kontrollin e Izraelit.

“Kjo është një tjetër shkelje e hapur e armëpushimit”, tha zyrtari.

Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera.

Marrëveshja e armëpushimit, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, hyri në fuqi më 10 tetor, duke i ndalur luftimet dyvjeçare që nisën pas sulmeve vdekjeprurëse të udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Më herët të martën, mediat izraelite raportuan më herët për një shkëmbim zjarri midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Hamasi e mohoi përgjegjësinë për ndonjë sulm ndaj forcave izraelite në Rafah dhe deklaroi se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit në Gazë.

Ndërkohë, pas urdhrit të Netanyahut të martën më herët,Hamasi njoftoi se do ta vononte dorëzimin e kufomës së një pengu tjetër, duke e akuzuar Izraelin për “shkelje të armëpushimit”.

Hamasi kishte njoftuar më herët se do ta dorëzonte trupin e një pengu tjetër të martën, pas trysnisë së shtuar nga Izraeli, i cili e akuzoi grupin palestinez se të hënën kishte kthyer vetëm mbetjet e pjesshme të trupit të një pengu të rikuperuar më parë.

“Ne do ta shtyjmë dorëzimin që ishte planifikuar për sot për shkak të shkeljeve nga okupatori”, tha krahu i armatosur i Hamasit në një deklaratë, duke shtuar se çdo “përshkallëzim izraelit do të pengojë kërkimin, gërmimin dhe rikuperimin e trupave”.

Hamasi nguli këmbë se po i zbaton kushtet e armëpushimit dhe e akuzoi kryeministrin Netanyahu se po kërkon të gjejë arsyetime për t’u tërhequr nga detyrimet e Izraelit.

Sipas kushteve të armëpushimit, Hamasi liroi të gjitha pengjet e gjalla në këmbim të gati 2.000 të dënuarve dhe të ndaluarve palestinezë gjatë luftës, ndërsa Izraeli tërhoqi trupat e tij dhe ndaloi ofensivën.

Hamasi është pajtuar gjithashtu t’i dorëzojë trupat e të gjitha pengjeve të vdekura që ende nuk janë gjetur, por ka thënë se procesi do të kërkojë kohë për të lokalizuar dhe rikuperuar trupat në enklavën e shkatërruar nga lufta dyvjeçare

Izraeli, nga ana e tij, pretendon se grupi militant e di ku ndodhen mbetjet mortore të shumicës së pengjeve.

Plani prej 20 pikash, i prezantuar nga Trumpi, po ashtu parasheh çarmatosjen e Hamasit, kërkesë e parashtruar edhe më herët nga Izraeli, por që nuk ishte pranuar nga grupi palestinez.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023 pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Osmani pritet me nderime ushtarake në Riad të Arabisë Saudite

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime ushtarake në vizitën e saj në Arabinë Saudite.  Ajo po qëndron në Riad, pas ftesës që...

Mes familjes dhe ushtrisë – Historitë e fëmijëve amerikanë që...

Flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai i NATO-s, përtej historisë në këtë hapësirë, shënojnë edhe një destinacion ku siguria dhe bashkëpunimi...

Hotel Dukagjini nikoqir i Asamblesë së Federatës Ndërkombëtare të Alpinizmit...

Rreth 130 përfaqësues të 90 shteteve të ndryshme të botës do të qëndrojnë për disa ditë në Pejë. Kjo për shkak se Federata e Bjeshkatarisë...

Të fundit nga rubrika