Për në shtator është shtyrë seanca për krime lufte ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për vrasjen, dëbimin, arrestimin e keqtrajtimin fizik në Burim të Malishevës.
Shtyrjen e seancës e ka kërkuar avokati mbrojtës i Morinës, Arianit Koci i cili fillimisht u ankua për mungesën e deklaratës së një dëshmitari anonim.
“Nuk e ka deklaratën e dëshmitarit të mbrojtur D1 e kam bërë në kërkesë të hudhjes së aktakuzës, nuk ma keni dërgu, kërkoj që menjëherë të më dorëzohet”, ka thënë Koci.
“E vetmja deklaratë që nuk ja ka bashkangjitur atyre shkresave është deklarata e dëshmitarit anonim sepse egziston një urdhër i gjykatës, nëse vendosni me shfuqizu këtë udhër ne do e paijsim mbrojten”, ka thënë prokuori special, Armend Zenelaj.
Pas kësaj kërkesë Gjykata e ka urdhëruar Prokurorinë Speciale që në afat prej 3 ditësh të ia dorëzojë mbrojtjes deklaratën, por duke redaktuar pjesët që identifikojnë dëshmitarin.
Por situata në gjykatore u tensionua kur avokati Koci ngriti një shqetësim, që kishte të bënte me një shkresë të Gjykatës.
“E kisha lut gjykatën që me marr me seriozitet këtë gjykim e mos me m’dërgu shkresa të kësaj natyre po e lexoj një pjesë… këtu më keni thënë se mbrojtësi dhe i akuzuari janë të kombësisë serbe..”, ka thënë Koci.
“Ja ndërpret fjalën.. ia tërheq vërejtjen mbrojtësit”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri.
Megjithatë avokati Koci vazhdoi të mos i bindet kryetarit të trupit gjykues.
“Kam vërejtje normal, e papranueshme e qoni ftesën Arianit Koci, e shkruani se gjykimi do përkthehet nga gjuha shqipe në serbe dhe anasjelltas duke marr parasysh se mbrojtësi që jam une dhe i akuzuari Ramadani edhe ky është shqiptar janë të kombësisë serbe.. e kam nervozen se kjo është fyerje…”, ka thënë Koci.
Ndërkohë që gjykatësi e arsyetoi këtë duke e quajtur gabim teknik.
“Natyrisht se është një gabim i natyrës teknike dhe se kjo ka mbetur nga fakti se pothuajse 90% të rasteve në këtë gjykatë,mos e shkruaj 90% se s’kemi statistika, shumica e rasteve të krimeve të luftës janë të komunitetit serb”, ka thënë Beqiri.
Seancat e radhës në këtë rast janë caktuar për në muajin shtator e tetor ku pritet të dëgjohen edhe dëshmitarë.
Ramadan Morina arrestua në gusht të vitit të kaluar dhe akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë në Burim të Malishevës.