Avokati i Krasniqit: Katër ekipet mbrojtëse janë koordinuar gjatë gjithë procesit

Avokati i Jakup Krasniqit, Mentor Beqiri, ka thënë se ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë kanë pasur një koordinim të madh gjatë gjithë procesit gjyqësor.

Në emisionin Debat Plus, Beqiri tha se koordinimi mes ekipeve ka ardhur edhe si udhëzim nga vetë klientët e tyre, me qëllim që të ndiqnin një rrugë të përbashkët të mbrojtjes.

“Koordinim mes ekipeve mbrojtëse ka pasur jashtëzakonisht shumë, sidomos për shkak se udhëzimi ka ardhur nga klientët tanë për ta pasur koordinim dhe një udhë të përbashkët të mbrojtjes”, tha Beqiri.

Ai theksoi se bashkëpunimi është zhvilluar në forma të ndryshme, përfshirë edhe parashtrimin e shkresave pranë gjykatës në mënyrë të përbashkët.

“Për shembull, parashtrimi i shkresave pranë gjykatës në formë të përbashkët. Ka pasur qindra shkresa që janë dorëzuar nga katër ekipet mbrojtëse në një emër”, u shpreh ai.

Beqiri tha se ekipet janë koordinuar edhe para marrjes në pyetje të dëshmitarëve, si dhe para parashtrimit të shkresave pranë Dhomave të Specializuara.

“Ekipet mbrojtëse janë koordinuar para marrjes në pyetje të dëshmitarëve, para parashtrimit të të gjitha shkresave që janë parashtruar pranë kësaj gjykate. Kjo tregon shkallën e lartë të koordinimit mes ekipeve mbrojtëse dhe mendoj se nuk duhet të jetë as temë diskutimi”, tha Beqiri.

Të fundit nga rubrika