Avokati i Popullit i ankohet Trendafilovas për punën e Gjykatës Speciale
Provat e marra nga shteti i Serbisë, kohëzgjatja e paraburgimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë e përgjimi i bisedave edhe vizitave në paraburgim janë disa nga shqetësimet që Avokati i Popullit i ka ngritur në takim me kryetaren e Dhomave të Specializuara për Kosovën, Ekaterina Trendafilova. Përveç me të, Trendafilova nuk ka pasur takim […]
Provat e marra nga shteti i Serbisë, kohëzgjatja e paraburgimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë e përgjimi i bisedave edhe vizitave në paraburgim janë disa nga shqetësimet që Avokati i Popullit i ka ngritur në takim me kryetaren e Dhomave të Specializuara për Kosovën, Ekaterina Trendafilova.
Përveç me të, Trendafilova nuk ka pasur takim me asnjë përfaqësues institucional tjetër gjatë qëndrimit në Kosovë. Në një përgjigje për Dukagjinin nga Gjykata Speciale thanë se Trendafilova është takuar me studentë, e me disa përfaqësues të ambasadave e misioneve në Kosovë.
“Kryetarja Trendafilova e ka përfunduar vizitën e saj. Gjatë vizitës së saj, ajo u takua me studentë të drejtësisë për të diskutuar kornizën ligjore të DHSK-së, mandatin dhe funksionimin e saj. Ajo gjithashtu vizitoi Qendrën e Dokumentacionit të Qendrës për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Përveç kësaj, gjyqtarja Trendafilova u takua me palët e interesuara, duke përfshirë përfaqësues të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Shefin e Misionit EULEX. Ajo u takua gjithashtu me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Shefin e UNMIK-ut dhe Avokatin e Popullit të Kosovës me qëllim që të ofronte informacion publik në lidhje me mandatin, administrimin dhe aktivitetet aktuale të gjykatës.”
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se provat që sigurohen nga shteti serb, mund të mos jenë kredibile duke pas parasysh raportin e Kosovës me këtë shtet.
“Pasiguria dhe ligjshmëria e provave sidomos ato që janë të siguruara nga autoritetet e Republikës së Serbisë, sepse nga informacionet që ne kemi nga ajo që është publike është kuptuar që ka një numër të madh të kësaj natyre që janë vështirë të kontestuesme dhe me i verifiku dhe demantu duke ditur burimin e tyre dhe duke e ditur që Serbia ka qasje armiqësore ndaj UÇK-së”, ka deklaruar Qelaj – Avokat i Popullit.
Qelaj konfirmoi se brenda këtij viti planifikon të udhëtojë drejt Hagës, pavarësisht kompetencave të kufizuara që kanë në raport me këtë gjykatë.
“Avokati i popullit ka kompetenca të kufizuara në raport me këtë Gjykatë, të cilat janë të dyfshishta edhe kufizimet janë të dyfishta, avokati i popullit ka mandat të kufizuara edhe me gjyqësorin e Kosovës, pra lejohet vetëm në rrethana të caktuara të ndërhyjë por jo në vendimmarrjen e Gjykatës. Dhe për faktin se me amndamentin kushtetues dhe ligjine dhomave i është kufizuar edhe njëherë në raport me këtë gjykatë duke i lënë mundësi dhe kompetenca shumë të vogla..”, ka theksuar ai.
Një ditë më parë, është anuluar takimi i Trendafiloves me gazetarët si shkak i protestës së veteranëve të UÇK-së.
Për këtë ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë pjesë e sistemit ligjor të Kosovës dhe informimi i publikut është një shtyllë thelbësore mbi mandatin e saj. Anulimi i konferencës për media pas presionit nga veteranët e UÇK-së ngre shqetësime të mëdha. Autoritetet duhet të sigurojnë që gjykata të mund ta kryejë punën e saj pa pengesa”, ka theksuar Jorn Rohde – Ambasador i Gjermanisë në Kosovë.
Zyrtarë të Dhomave të Specializuara për Kosovën edhe më parë gjatë vizitave të tyre në Kosovë, janë pritur me protesta e shpeshherë është vënë në dyshim paanshmëria e tyre në proces.















