Avokati i Popullit ia adreson kryetarit të Prishtinës ankesat e qytetarëve

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, së bashku me një pjesë të stafit të tij, ka zhvilluar takimin e parë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, këtë të mërkurë. Në këtë takim, ata kanë trajtuar ankesat e qytetarëve dhe çështje të tjera të rëndësishme për kryeqytetin

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, me një pjesë e stafit të tij ka zhvilluar takimin e parë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, të mërkurën, ku janë adresuar ankesat e qytetarëve.

Pjesa e fundit e këtij takimi është mbyllur për media, pasi avokati Qelaj tha se pjesën tjetër të takimit do ta zhvillojnë që të diskutojnë për disa çështje teknike për kërkesat e përmendura.

Paraprakisht, në këtë takim, Qelaj ka parashtruar rëndësinë e respektimit të rekomandimeve të tij si Avokat i Popullit dhe kthimit të përgjigjeve ndaj tyre, si dhe ndaj kërkesave apo ankesave që kanë pranuar nga qytetarët e kryeqytetit.

Sipas Qelajt, ka pasur një zhvillim të ndjeshëm viteve të fundit në lidhje me bashkëpunimin dhe komunikimin e institucioneve në vend me Avokatin e Popullit.

Ky zhvillim, sipas Qelajt, ka ardhur si rezultat i vetëdijesimit institucional, i masave që janë ndërmarrë nga autoritetet publike, por edhe si pasojë e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kanë kushtëzuar edhe financiarisht Qeverinë e Kosovës që të vendosë si kriter përgjigjet e Avokatit të Popullit dhe zbatimin e rekomandimeve të tij.

“Duhet me pas parasysh një fakt, respektimi kërkesave të Avokatit të Popullit dhe zbatimi i rekomandimeve të tij, ka me rritë nivelin e demokracisë në vend, zbatimin e ligjit, ka me ndiku direkt në jetën e qytetarëve”, theksoi Qelaj.

Në vazhdim ai ka përmendur disa nga kërkesat dhe ankesat që kanë pranuar nga qytetarët.

Në kuadër të përmirësimit të shërbimeve publike, Qelaj tha se e kanë trajtuar çështjen e qasjes në objekte të personave me aftësi të kufizuara, për të cilën kanë parë se ka mungesë të zbatimit të udhëzimit administrativ.

Ata kanë pranuar shumë ankesa që lidhen me gjendjen e trotuareve, ku një pjesë të madhe të rrugëve që i kanë analizuar kanë parë se kanë probleme dhe pengesa për qasje për të gjithë qytetarët.

Disa ankesa i kanë pranuar edhe për kontaminimin e ujit në fshatin Marec, për të cilin u shprehën se janë shumë të interesuar që edhe këtyre qytetarëve t’u ofrohet ujë i pijshëm.

Tutje, një çështje që janë duke e trajtuar e që mendojnë se edhe në të ardhmen do ta trajtojnë është çështja e legalizimit të objekteve pa leje, pasi e konsiderojnë si një problem të kamotshëm të kryeqytetit, mirëpo që ka zgjidhje.

Një nga problemet që u përmend ishte edhe ai i qenve endacakë, një problem për të cilin Avokati i Popullit në vitin 2020 kishte rekomanduar se kjo çështje duhet të menaxhohet nga autoritetet komunale, sepse cenon, rrezikon sigurinë e qytetarëve.

Pastaj, është përmendur nevoja për rritjen e numrit të stafit në qendrat për punë sociale, dhe trajnimi i vazhdueshëm i punëtorëve socialë.

Si përfundim, ai ka përmendur edhe rekomandimin që e kanë dhënë për ndryshimin e rregullores lidhur me taksat dhe transaksionet e pronave të paluajtshme.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar se është dashur të takohen edhe më herët me Avokatin e Popullit, pasi, sipas tij, “e kanë me interes të madh që të gjithë qytetarët e kryeqytetit të ndihen që ligji punon për ta dhe janë të barabartë në çdo aspekt, duke filluar prej fëmijëve.”

Rama tha se e kanë në fokus të veçantë të punojnë për personat me aftësi të kufizuara, ku, sipas tij, kryeqytetit i nevojitet shumë punë në ndërtesat institucionale, ku një numër i madh i tyre nuk i plotësojnë kushtet bazike për qasje për të gjithë.

Ai tha se është në dijeni që ka mangësi të shumta, duke përmendur njërën nga to, komunikimin ndërmjet institucioneve, për të cilën mendon se procesi i digjitalizimit ndihmon në një komunikim të drejtpërdrejtë për t’i zgjidhur problemet e kryeqytetit.

Sa i përket trajtimit të qenve endacakë, Rama tha se kanë investuar më shumë se një milion e gjysmë euro, ku kanë përfunduar ndërtimin e strehimores së kryeqytetit, ndarjen e 10 hektarëve tokë për krijimin e parkut të kafshëve, subvencionimin e të gjithë qytetarëve që kanë adaptuar një qen me një shumë prej 50€ eurosh në muaj.

Kështu, Rama ka kalkuluar me numrin e qenve endacakë dhe të familjeve që jetojnë në kryeqytet për të zgjidhur këtë problem, duke e konsideruar si një strategji, e cila mund të zbatohet edhe në komunat e tjera.

Sipas Ramës, qentë endacakë janë rreth 3,000 deri 3,500, ndërsa rreth 100,000 familje jetojnë në kryeqytet, kështu që siç u shpreh ai, nëse vetëm 3% e këtyre familjeve vendosin të adaptojnë një qen endacak, ky problem zgjidhet përkohësisht.

Lidhur me pengesat në trotuaret e kryeqytetit, Rama ka theksuar se janë ndarë 2 milionë e gjysmë euro dhe janë nënshkruar kontratat për 5 ekipe në 5 zona të qytetit, të cilat do të mundësojnë transformimin e hapësirave publike.

Sa i përket edhe qasjes në ujë të pijshëm në fshatin Marec, ai ka thënë se do të interesohet, pasi nuk ka ndonjë informatë të saktë se çka është duke ndodhur atje./ Kallxo

Shija e redaktorit

Duhet të ketë pezullim të konkursit për gradimin e policëve,...

Derisa Inspektorati Policor i Kosovës të dalë me raportin final në lidhje me dyshimet për favorizime dhe keqpërdorime në konkursin për gradim e policëve,...

ASK: Mbi 1 milion e 420 mijë qytetarë të regjistruar...

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati, ka njoftuar se deri më tani janë regjistruar 1 milion e 420 mijë...

Mbi 1 milion qytetarë të regjistruar – këtë javë përfundon...

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot mban konferencë për media për të njoftuar mbi ecurinë e punës në terren për Regjistrimin e Popullsisë,...

Të fundit nga rubrika