Avokati i Popullit: Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit do ta rrezikojë seriozisht mirëqenien sociale
Zyra e Avokatit të Popullit ka shprehur shqetësime në lidhje me situatën e krijuar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Arsimit. Në një komunikatë për media, kjo zyrë ka thënë se vendimi i Qeverisë për të mos i ekzekutuar pagat për mësimdhënësit që kishin marrë pjesë në grevë, e rrezikon seriozisht mirëqenien […]





Zyra e Avokatit të Popullit ka shprehur shqetësime në lidhje me situatën e krijuar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Arsimit.
Në një komunikatë për media, kjo zyrë ka thënë se vendimi i Qeverisë për të mos i ekzekutuar pagat për mësimdhënësit që kishin marrë pjesë në grevë, e rrezikon seriozisht mirëqenien sociale.
“Mosekzekutimi i pagave të mësimdhënësve do ta rrezikojë seriozisht mirëqenien sociale për mësimdhënësit dhe për familjet e tyre, në një gjendje edhe ashtu të brishtë, e kjo nuk do t’i kontribuojë dialogut social dhe përmirësimit të situatës së krijuar”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, Avokati i Popullit ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i përdorë standardet e njëjta sa i përket grevës dhe t’i trajtojë të gjitha kategoritë në mënyrë të barabartë, në mënyrë që të mos krijohet baza për diskriminim.
“Gjithashtu, Avokati i Popullit rikujton përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, për sigurimin e paqes sociale në vend, si dhe për domosdoshmërinë që autoritetet ta garantojnë përdorimin e standardeve të njëjta sa i përket grevës, për situata të ngjashme, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Nga Zyra e Avokatit të Popullit kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të gjejë një zgjidhje për të dalë sa më shpejtë nga situata e tensionuar me mësimdhënësit.




















